Lajme

Policia kërkon ndihmë për arrestimin e dyshuarit për vrasjen e shtatzënës


Ilustrim

Policia e Kosovës po kërkon ndihmë që të gjejë të dyshuarin, Sokol Halilin, për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë me çfarëdo lloj informate që disponojnë në lidhje me dorasin.

“Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar”.

I dyshuari, sipas Policisë së Kosovës, është nga fshati Godancë i Komunës së Shtimes.

“Për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendndodhjes së personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në komunikatën për media.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Në anën tjetër i dyshuari S.H nga Shtimja, i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, H.M mbrëmjen e të mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, vazhdojnë të jetë në arrati.

Kështu thuhej në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Teksa rasti vazhdon të jetë në hetime nga njësitet kompetente policore.

Gjykata Themelore e Ferizajt, ka bërë të ditur se viktima ka pasur urdhër-mbrojtje.

Në njoftim thuhej se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 8 shtator 2022.

Pas rastit në fjalë të enjten ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pasur një mbledhje me dyer të mbyllura me grupin e ngushtë ndërministror.

Me të përfunduar diskutimi në fjalë, Haxhiu në një konferencë për media, rastin në fjalë e ka cilësuar si papërgjegjësi institucionale, pasi prokurori kishte marrë vendim për lirimin e dorasit në këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore