Presidentja abuzon me “afatin e arsyeshëm” – Kosova qe 5 muaj pa Kryeprokuror
SHFLETO
Valon Rashiti
28.09.2022 12:14
Loading Icons...
Kanë kaluar pesë muaj që kur në tavolinën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, është emri i Blerim Isufajt, i propozuar për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokuorial, por që ende nuk është dekretuar nga Osmani, por as nuk ka ndonjë afat ligjor që e para e Shtetit ta legjitimoj ose jo të propozuarin për Kryeprokuror nga KPK-ja.
Kështu Kosova ka mbetur me U.D Kryeprokuror, pozitë të cilën po e mban Besim Kelmendi, pas përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit.
Arsyet pse nuk po dekretohet Isufaj nuk i kanë treguar për Albanian Post nga zyra për media e presidentes.
Veçse Osmani gjatë një interviste televizive më 4 qershor, pati thënë se “ne jemi duke i analizuar materialet shtesë që i ka dërguar KPK sepse dosja që është dërguar nuk ka qenë e plotë”.
“Dua ta potencoj që kemi marrë vërejtje të shumta që janë konstatuar nga ana e organizatave monitoruese, qofshin ata partnerë vendorë si OJQ apo ndërkombëtarë”, pati theksuar ajo.
Por – Osmani sipas juristit Arbër Jashari, nuk guxon pafundësisht, ta mbaj peng pozitën e Kryeprokurorit të shtetit.
“Ajo duhet t’i hapë udhë këtij procesi, qoftë përmes dekretimit të propozimit të KPK-se, qoftë duke vepruar të kundërtën”, thotë Jashari për Albanian Post.
Ai potencon se Kushtetuta dhe pozicioni i saj e obligon ta marr një vendim, brenda një afati të arsyeshëm, gjë që nuk po ndodhë.
“Çdo ditë pa Kryeprokuror të emëruar, është lajm i mirë për krimin dhe sinjal i keq për drejtësinë”, shton ai.
“Pozita e U.D është pozitë, që deri diku mundëson një mbarëvajtje normale të punëve në institucion, por nuk garanton politika zhvillimore, ngritje të kapaciteteve, efikasitet dhe rritje të shkalles s përgjegjësisë, brenda tij”.
Jashari konsideron që arsyeje tjetër e zvarritjes së këtij procesi mos dekretimit të Isufajt, mund të jetë edhe hyrja në fuqi e Ligjit të ri për KPK-në.
“Me shpresën se do të krijohen rrethana te reja, që do t’i hapin udhë zgjidhjes se një Kryeprokurori të ri.
Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.
Pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadoi mandati.
Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.
I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, ishte shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.