Zgjedhjet në Shqipëri

Si do të shmanget vota e pavlefshme?


Mbi 83 mijë fletë votimi në gjithë Shqipërinë janë shpallur si të pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit. Hamendësime të shumta janë hedhur mbi këtë çështje.

Që nga fleta komplekse e votimit e deri te përdorimi i numrave dhe jo emrave në fletë, rreth 5% e totalit të votave, nuk janë përllogaritur në Shqipëri gjatë këtyre zgjedhjeve.

Në aspekt mandatesh, janë rreth gjashtë mandate, të cilët mund të ishin të përcaktuar pikërisht nga këto vota.

Sipas ish-kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, një analizë e thellë duhet kryer mbi këto vota. Dy, janë rrugët sipas tij: “Ose votuesit kanë shprehur një vullnet për të prishur fletën e votimit në formë abstenimi ndaj partive, ose e kanë bërë aksidentalisht këtë gjë”.

Për Albanian Post, Kume theksoi se dy procese duhet të ndodhin në çastin e verifikimit të fletëve të pavlefshme të votimit.

“Në rastin e parë, partitë duhet të kuptojnë pse elektorati e ka kryer këtë akt. Në rastin e dytë, është KQZ-ja, ajo që duhet të marrë masa mbi aspektin ligjor të ndërtimit të fletës së votimit dhe modelit”.

Mundësia e votimit elektronik në gjithë vendin

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mendon se në retrospektivë, një fletë votimi me emra dhe jo me numra, mund të kishte shmangur votat e pavlefshme në numër kaq të lartë.

Gjithsesi, i pyetur nga Albanian Post, mbi mundësinë e votimit elektronik për ta shmangur pavlefshmërinë e votave, ai theksoi se “mundësia për vota të pavlefshme me votim elektronik, është zero”.

“Në votimin elektronik mundësia për pavlefshmëri është zero. Në KZAZ 40, ku u zhvillua projekti pilot, ne zgjodhëm edhe opsionin e zgjedhjes së asnjë kandidati. Vetëm kjo e bën të pavlefshme”.

Në këtë projekt pilot, të pavlefshme janë shpallur vetëm 56 vota të pavlefshme. Kjo është një shumë e papërfillshme përballë votave të vlefshme në këtë njësi të administrimit zgjedhor.

Kume mendon të njëjtën gjë me komisionerin. Gjithsesi, sipas tij, kjo është një vendimmarrje që i takon KQZ-së.

“Votimi elektronik ishte një projekt i suksesshëm për KQZ-në”, cilësoi ai. “Unë mendoj se ai mund të implementohet në zgjedhjet e ardhshme dhe të shmangë pjesën e votave të pavlefshme. Kjo, pasi vetë sistemi, të orienton qartësisht drejt votimit për një kandidat të vetëm. E bën, pra, të pamundur votimin e gabuar në mënyrë të paqëllimshme”.

Ajo që pritet të ndodhë tashmë, është një verifikim nga KQZ-ja mbi këtë fenomen të zgjedhjeve 2021.

Por, ajo që duket e qartë, është një model i drejtuar për nga elektronikja, për shmangien e situatave të tilla zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore