Lajme

Shumica e njerëzve i kanë mbijetuar sulmit në Teatrin e Mariupol-it


Më shumë se 1 mijë gra dhe fëmijë janë në strehën e bombave në teatrin e Mariupol-it. Kështu ka deklaruar një deputet nga Mariupol.

Teatri u sulmua nga rusët dhe numri i viktimave nuk dihet.

Deputeti Dmytro Gurin, prindërit e të cilit janë të bllokuar në qytet, tha për median britanike “BBC” se, “ndërtesa e teatrit është shkatërruar, ne kemi më shumë se 1 mijë gra dhe fëmijë në strehën e bombave, në bodrum”.

“Disa minuta më parë kishim një informacion se streha e bombave mbijetoi dhe njerëzit atje mbijetuan”, theksoi ai.

Sakaq ai tha se nuk e dinë ende nëse ka të plagosur apo janë vrarë njerëz. “Por duket se shumica prej tyre kanë mbijetuar dhe janë mirë”, e përmbylli ai.

Pamjet e fundit satelitore nga Teatri i Mariupol-it – përpara se të bombardohej – treguan qartësisht se rusët ishin të paralajmëruar për faktin që në godinë ndodheshin fëmijë.

Në tokë ishte e shkruar qartësisht me bojë të bardhë dhe me shkronja të mëdha: Fëmijë!

Në mendjen e sulmeve ruse, nuk është shkruar asgjë tjetër përpos sulmeve të vazhdueshme ndaj Ukrainës, për të arritur qëllimet politiko-ushtarake të presidentit rus Vladimir Putin.

Rreth 1 mijë deri në 1 mijë e 200 njerëz, mendohet se kanë qenë brenda aty, të strehuar, në zemër të një qyteti, i cili ndodhet në katastrofe humanitare. Prej më shumë se një jave, i rrethuar nga forcat ruse, pa furnizim me ujë, energji elektrike apo ushqime.

Rusia nga ana tjetër e mohon se ka goditur civilët gjatë gjithë rrjedhës së agresionit që po kryen në Ukrainë.

Pamjet gjithsesi, flasin krejt të kundërtën.

Kievi po ashtu po sulmohet. Kryeqyteti ka parë e ndjerë edhe një natë tjetër bombardimesh.

Mariupoli po kthehet në fytyrën e denjë të rezistencës ukrainase ndaj agresionit moskovit.

Kujtojmë që kjo është dita e 22-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore