Lajme

Bombardohet një teatër në Maiupol, strehonte rreth 1000-1200 njerëz


Forcat ruse kanë bombarduar një teatër ku civilët ishin strehuar në qytetin port të rrethuar të Mariupolit. Kështu ka deklaruar këshilli i qytetit.

Serhiy Orlov, nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, tha për “BBC” se midis 1 mijë dhe 1 mijë e 200 njerëz ishin aty gjatë sulmit të kësaj dite. Ende nuk dihet numri i viktimave.

Këshilli i qytetit tha se forcat ruse kishin “shkatërruar me qëllim dhe në mënyrë cinike Teatrin e Dramës në zemër të Mariupolit. Aeroplani hodhi një bombë në një ndërtesë ku ishin fshehur qindra banorë paqësorë të Mariupolit”.

“Është ende e pamundur të vlerësohen përmasat e këtij akti të tmerrshëm dhe çnjerëzor. Dihet se pas bombardimeve u shkatërrua pjesa qendrore e Teatrit të Dramës dhe hyrja në strehën e bombave në ndërtesë u shkatërrua”, vijon njoftimi i Këshillit në Telegram.

“Ne kurrë nuk do të falim dhe nuk do të harrojmë kurrë”, shtoi ai.

Ndërsa Petro Andriushchenko, një këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, tha se streha e teatrit ishte “streha më e madhe në numër dhe madhësi në qendër të qytetit”.

Numri i të vdekurve dhe të plagosurve nuk dihet. Probabiliteti për të arritur atje për të çmontuar rrënojat është i ulët për shkak të granatimeve dhe bombardimeve të vazhdueshme të qytetit,” tha ai.

Nëpër mediat sociale raportohet se ekipet e shpëtimit nuk mund të punojnë në qytet për shkak të bombardimeve të vazhdueshme.

Objekti ndodhet në një park në qendër të qytetit.

Kujtojmë që kjo është dita e 21-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.

Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore