Shqipëria

Shuhet dramaturgu Fadil Kraja


Dramaturgu dhe letrari i shquar, Fadil Kraja, ka ndërruar jetë.

Autori i mbi 50 dramave dhe komedive, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Lajmin për ikjen e tij e ka dhënë Teatri “Migjeni” në Shkodër, nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale.

Ndërkaq, homazhet në nder të tij do të mbahen nesër më datë 19 nëntor nga ora 09:00 deri në 12:00, në hollin e teatrit “Migjeni”.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se vdiq në moshën 91 vjeçare, shkrimtari e dramaturgu i shquar shqiptar, ‘Kalorësi i urdhrit së Skënderbeut’, ‘Mjeshtri i Madh’, ‘Krenaria e Qytetit’, Fadil Kraja”, shkruhet në njoftimin e teatrit.

Fadil Kraja u lind në Shkodër më vitin 1931.

Shkollën e mesme e kreu ne gjimnazin e Shkodrës ku spikati me talentin për letërsinë. Kurse studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi.

Dhe pas diplomimit, punoi si mësues, profesion të cilin e trashëgonte nga familja.

Në vitin 1950, ai nisi punë për herë të parë si mësues në fshatin Mjedë. Asokohe, nuk kishte shkollë në këtë fshat dhe mësimi zhvillohej në shtëpinë e një prej banorëve, Hasan Metit.

Shkolla kishte 50 nxënës të ardhur nga tetë fshatra: Shelqet, Spathar, Laç, Qyrsaq, Hajmel, Ganjoll, Kaç dhe Naraç.

Gjithashtu kishte katër mësues: Isak Ramadani, Fadil Kraja, Rifat Barbullushi dhe Gita Shani.

Për vite me radhë, Fadil Kraja kontribuoi si një mësues i nderuar në fshat e qytet, duke nxjerrë nxënës e studentë që u shquan me pas në fusha të ndryshme.

Ai luajti rol të madh edhe në gjallërimin e Gjimnazit të Shkodrës si mësues i letërsisë.

Më tej, punoi si pedagog i letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër.

Për disa kohë, Kraja drejtoi Klubin e Rinisë dhe më vonë u bë anëtar i përhershëm i Këshillit Artistik në Teatrin “Migjeni”.

Nga viti 1972 deri më 1992, ai ka vazhduar si shkrimtar dhe si pedagog i jashtëm në fakultet. Njëherazi, edhe si Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Degën e Shkodrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore