Shqipëria

Shtyhet seanca gjyqësore ndaj deputetit demokrat për dosjen “Babalja”


Gjykata e Apelit ka shtyrë sërish seancën ndaj deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, për dosjen “Babalja”.

Seanca e radhës do të mbahet më 19 dhjetor.

Në një deklaratë për mediat, Salianji e ka cilësuar të padrejtë shtyrjen e disatë të seancës për vendimmarrjen në Apel për dënimin ose jo të tij.

Deputeti demokrat u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babalja”.

Ai, së bashku me gazetarin Jetmir Olldashi – i cili u dënua me gjashtë muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti – e kanë çuar çështjen në Apel, pasi nuk pranuan vendimin e shkallës së parë që ka kryer dyshja “kallëzim të rremë”.

Salianji dhe Olldashi u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.

Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.

Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoti, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.

Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.

Në lojë u futën ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ata me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.

Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore