Lajme

Shtrenjtimet e “sollën” Rusinë në dyqanet Maqedone


Ilustrim

Për të blerë produktet me çmimet më të lira, banorët e Maqedonisë së Veriut janë të obliguar të dinë gjuhën ruse, për të kuptuar përmbajtjen e tyre.

Vaji i gatimit në rrjetet e marketeve ka çmimin më të lirë. Përveç vajit ka edhe disa prodhime të importuara nga shteti rus të cilat figurojnë nëpër rrjetet e super marketeve të vendit pa përkthime deklarative në ambalazhe.

Konsumatorët të cilët ka intervistuar Alsat M, janë shprehur se nuk ju intereson kjo gjë, krejt çka duan ata është çmimi më i ulët.

Ndërsa për cilësinë dhe rregullsinë e importit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk ka të vendosura sanksione për shkëmbime tregtare me Rusinë.

“Produktet që kohëve të fundit kanë shfaqur një vëmendje më të madhe në opinion kemi vajin e lulediellit që vjen nga Ukraina dhe Rusia. Nuk kemi ndonjë ndalesë për shkëmbime tregtar me Federatën Ruse, gjatë kësaj periudhe kemi vazhduar të kemi import të produkteve me origjinë jo shtazore dhe ne si institucion punojmë me rregullore të veçanta ku kemi një listë të produkteve nga ndonjë zonë”, tha Besnik Elezi, zv-Drejtor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Të dhënat e Agjencisë tregojnë se nëse vazhdon ky trend i importit, vaji rus do t’ia kaloj edhe vodkës ruse.

“Që nga fillimi i këtij viti deri më sot nga Federata Ruse në vend janë realizuar 152 porosi me ushqim dhe prodhime materiale që lidhen me industrinë ushqimore. Numri më i madh i porosive kanë qenë kavanoza të konservuara, duke pasuar Vodka, suplemente ushqimore, vaj luledielli, thjerrëza, fara liri, çokollata, çaj”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sipas informacioneve zyrtare importi i tillë mes dy vendeve është intensifikuar në tre muajt e fundit prej kur janë rritur çmimet e prodhimeve ushqimore si pasoje e luftës në Ukrainë.

Nga Drejtoria e Doganave kanë thënë se në Maqedoni të Veriut për tre muajt e fundit kanë hyrë afër 40 mijë litra vaj gatimi luledielli.

Por, totali i të gjitha prodhimeve të importuara nga Rusia në Maqedoni për tre muajt e fundit (15.04-15.06) kap shifrën e afër 22 milion litra dhe kilogram të produkteve të ndryshme me mbi 1 miliard denarë.

Në periudhën e luftës në Ukrainë kur Maqedonia është rreshtuar me vendet Perëndimore për të ulur ndikimin rus si në aspektin diplomatik ashtu edhe në aspektin ekonomik, rritja e kostove të produkteve ushqimore e ka zhytur shtetin në varësi të thellë ndaj importit rus.

Nga Ministria e Jashtme kanë deklaruar se shteti i është bashkangjitur masave sanksionuese të BE-së ndaj Rusisë. Në listën e sanksioneve ndaj Rusisë sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian deri në fund të vitit 92% do të zvogëlojnë importin e naftës dhe derivateve të saj. Embargo vazhdon për sistemin bankat të Swift code, ndalesa e blerjes së gjërave luksoze, ndalesa e qymyrit dhe disa sanksione të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore