Shqipëria

Shtetësia për biznes, Shqipëri-BE sërish në kahe të kundërta


Vitet e fundit është vënë re në Shqipëri një fenomen në sektorin e investimeve të huaja, ku është “pagëzuar” edhe një tipologji biznesmenësh, nën emërtimin e “investitorëve me pasaportë të artë”.

Po ashtu, skema të ngjashme vihen re edhe sa i përket një aspekti të ngjashëm, si ai i lejeve të qëndrimit apo “vizave të arta”.

Këto, synojnë tërheqjen e investimeve, duke dhënë të drejtat e shtetësisë së investitorëve ose të qëndrimit të vendit në fjalë.

Mirëpo, kornizime të tilla kanë ngritur shqetësime për disa rreziqe të qenësishme, veçanërisht në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, taksat, evazionin dhe korrupsionin.

Vendet e Bashkimit Evropian, që ofrojnë pasaporta të arta dhe skema të tjera qëndrimi në këmbim të investimeve janë Spanja, Portugalia, Greqia, Italia, Malta, Zvicra, Austria, Belgjika, Gjermania, Bullgaria dhe Irlanda.

Së fundmi, ky diskutim është bërë kryefjalë edhe e mediave në Shqipëri.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, më 29 korrik 2022, ka dhënë tashmë një dritë jeshile për përfitimin e shtetësisë shqiptare.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.125/20213, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi ‘Zbatimin e procedurave të koncesionit/partneritet publik privat në sektorin e programeve të shtetësisë’”.

Pra përmes këtij vendimi, lejohet dhe fillimi i procedurave deri në nënshkrimin e një kontrate.

Nëse, ky vendim miratohet, cilësohet edhe si me risk për Shqipërinë si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, nga ekspertë të shumtë, po edhe nga vetë burokratët e unionit.

Krahu ekzekutiv i BE-së theksoi rreziqet që paraqet skema. Argumenti kryesor, është ai se në thelb, ajo pranon të gjitha aplikimet pa asnjë shqyrtim, duke përfshirë këtu aplikantët që shfaqen në listën e të kërkuarve të Interpolit.

Komisioni i BE-se tha në janar se po monitoron të gjitha vendet që nuk kanë regjim të vizave me BE-në, të cilat po operojnë në mënyrë efektive ose po planifikojnë të krijojnë skema të shtetësisë së investitorëve, duke renditur ndër të tjera Shqipërinë, Malin e Zi dhe Moldavinë.

Komisioneri për Drejtësinë dhe Konsumatorët, Didier Reynders, tha se “vlerat evropiane nuk janë në shitje”, duke mbajtur qëndrim të hapur kundër “lejeqëndrimeve të arta”.

“ Ne konsiderojmë se shitja e shtetësisë përmes ‘pasaportave të arta’ është e paligjshme sipas legjislacionit të BE-së dhe paraqet rreziqe serioze për sigurinë tonë. Ai hap derën për korrupsionin, pastrimin e parave dhe shmangien e taksave”, përkufizoi Reynders.

Megjithatë, drejtori i Agjencisë së Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë, AHPVSH, Bledar Skënderi, ka deklaruar se vendimi shënon fillimin e ndërtimit të programit të shtetësisë për investim.

“Pas këtij vendimi do të ngrihet një grup pune në Ministrinë e Brendshme që do të hartojë programin. Më pas do të hapet një garë ndërkombëtare, ku do të zgjidhet kompania fituese në bazë të ekspertizës dhe përvojës që ofron në këtë fushë”, shpjegoi ai.

Sa i përket rajonit, Mali i Zi e ka nisur programin e shtetësisë nëpërmjet investimit në fillim të vitit 2019 me një afat 3-vjeçar, duke vendosur si afat për mbylljen e aplikimeve datën 31 dhjetor 2021.

Por, për një numër arsyesh, programi është shtyrë edhe për një vit dhe pritet të mbyllet më 31 dhjetor 2022.

Në Malin e Zi transaksioni minimal i kërkuar në prona të paluajtshme është 250 mijë euro për objekte të vendosura në pjesën qendrore ose veriore të vendit, përjashtuar Podgoricën dhe minimumi 450 mijë euro për objekte të vendosura në Podgoricë ose në zonën bregdetare.

Detaje për investitorët që Shqipëria mund të “mirëpresë” ndërkaq, ende nuk kanë dalë.

Në këtë mënyrë, kjo çështje i shtohet edhe asaj të amnistisë fiskale, të deklaruar si plan i Qeverisë, ndaj të cilit sërish, strukturat evropiane janë kundër.

Veçse, ekzekutivi shqiptar, nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Do të veprohet njëjtë edhe me “pasaportat e arta”? Kjo është pyetja e shtruar…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore