Shqipëria

Shqipëria – nga një shtet vetmitar – në strehë


Në vazhdën e artikujve nga mediat e huaja për gazetarët afganë që po i mbajnë gjallë gazetat përmes online-it nga streha e tyre në Shqipëri, vjen edhe “Financial Times”.

Artikulli i kësaj të fundit heq një paralele mes jetesës së re të afganëve të këtushëm dhe Shqipërisë së rigjallëruar.

Një paralele mes afganëve, që i ikën “rrëmujës” për të gjetur qetësinë dhe këtij vendi që iu fal atyre qetësinë, i cili para 30 vjetësh ishte mes rrënojave të regjimit.

Gazetarët e Afganistan-it nga Shqipëria

Elyas Nawandish, kryeredaktor i një prej gazetave më të respektuara të Afganistanit, ka sytë e një gazetari që ka parë një jetë tragjedish.

Pas marrjes së Kabul-it nga talebanët, gazeta “Etilaatroz” e ka stafin të shpërndarë nëpër botë.

Nawandish dhe gjysmë duzinë gazetarësh të tjerë ndodhen në një vendpushim në bregdetin e Adriatikut të Shqipërisë.

Mijëra milje larg historive që ata po përpiqen të mbulojnë.

Hoteli ku ata qëndrojnë, është një nga një sërë resortesh shqiptare ku strehohen disa mijëra afganë pasi qeveria ofroi një vend në pritje të aplikimit të tyre për statusin e refugjatit në SHBA.

Gazetarët afganë pranë hotelit në qytetin bregdetar shqiptar të Shëngjinit © Florion Goga/FT

Teksa Nawandish flet, dielli perëndon mbi Adriatikun pas tij, duke hedhur rrezet e fundit mbi të vegjlit afganë që luajnë në oborrin e hotelit.

Për të dërguarin e “Financial Times” është e vështirë të imagjinohet një kontrast më i madh midis qetësisë së tyre këtu dhe trazirave atje.

Është gjithashtu e vështirë të imagjinohet një kontrast mes Shqipërisë së sotme dhe asaj të 30 vjetëve më parë.

Kjo, sepse ai e sheh këtë vend sërish, por pas 30 vitesh.

Për të, në mënyrë frymëzuese, Shqipëria e ka përmbysur narrativën e një vendi në gërmadhën post-komuniste dhe është bërë strehë.

Ndërkaq, “Etilaatroz” ndan një redaksi me 8AM, një tjetër gazetë e respektuar, duke i mbajtur gjallë gazetat online nga Shqipëria.

Mehrdad, një nga gazetarët, ka rrëfyer se “këto janë kohë të rrezikshme për mediat në Afganistan”.

“Jemi nën presion. Përfaqësuesi ynë pranë talebanëve në Kabul është thirrur nëntë herë. Thonë se jemi pjesë e një misioni propagandistik. Ata nuk dinë të sillen me vlerat demokratike, si liria e fjalës”, ka theksuar ai.

Tani, afganët në Shqipëri mbështeten nga një sërë organizatash jo-fitimprurëse. Por për sa kohë do të zgjasë kjo?

“Financial Times” dallon se për vizat e afganëve, burokracia amerikane është shumë e ngadaltë.

Donatorët kanë frikë se teksa muajt kalojnë dhe prioritetet e tjera rriten, ndjenja e Amerikës për përgjegjësinë kolektive për të mërguarit zbehet.

Gjithashtu shqetësohen se administrata Biden mund të pranojë vetëm ata që u larguan nga Afganistani më 31 gusht ose përpara datës fillestare të largimit të forcave amerikane.

“Mund të përfundohet me dy mijë njerëz që nuk kanë ku të shkojnë tjetër”, ka thënë një nga koordinatorët.

Nga ana tjetër, Nawandish ka treguar se presioni i bashkërendimit të gazetarëve të tij të shpërndarë është një shpërqendrim nga streset personale.

Kohët e fundit, talebanët kanë shkuar në zyrat e tyre dhe kanë kërkuar të dinin pse nuk po i modelonin talebanët si qeveri.

“Ne ende themi vetëm grupi taleban”, ka ravijëzuar ai me krenari.

Dhe e gjitha kjo, historia e këtyre gazetarëve që sfidojnë shanset mjaft të jashtëzakonshme për të dhënë lajmin, është thjesht mrekulli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore