Shqipëria

Shqipëria merr zyrtarisht Presidencën e Këshillit të Sigurimit, Osmani uron Begajn e Ramën


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin dhe kryeministrin e Shqipërisë, Bajram Begajn dhe Edi Ramën, për marrjen e presidencës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga Shqipëria.

“Në këtë kohë vendimtare për paqen dhe sigurinë, është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike globalisht”, ka shkruar Osmani në platformën sociale të emëruar rishtari “X”.

Shqipëria u kthye në krye të këtij organi ndërkombëtar të sigurisë dhe paqes për herë të dytë, pas asaj të qershorit 2022.

Përfaqësuesja amerikane në Këshillin e Sigurimit, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, në emër të Këshillit i ka uruar delegacionit të Shqipërisë fat të mbarë.

Ajo u shpreh se gushti ishte një muaj i ngarkuar dhe një muaj në të cilin u mblodhën për konsensus për disa çështje të rëndësishme brenda fushës sonë.

Ndërkaq, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka zbuloi gjatë një deklarate për mediat prioritetet e Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Bëhet fjalë për një platformë bashkëpunimi, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë dhe për një aktivitet kushtuar agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.

Sipas saj, Shqipëria ka akumuluar gjatë 20 muajve të fundit një eksperience të vyer në tryezën e KS-së.

“Janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence. Bëhet fjalë për një platformë bashkëpunimi, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë, në kohë krizash. Aktiviteti tjetër shënjues i presidencës tonë i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës”, theksoi ndër të tjera Xhaçka.

Shefja e diplomacisë shqiptare vërejti se ideja e parë është pritur mjaft mirë dhe ka gjetur mbështetje nga aktorë e grupe interesi.

Ndërsa sa i takon luftës në Ukrainë, si bashkëpenëmbajtëse me SHBA-të, kjo është një nga çështjet që ka shënjuar mandatin tonë, tha ministrja e MEPJ-së.

Në përmbyllje, ajo u angazhua se diplomacia shqiptare do të organizojë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në KS, e cila do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore