Shqipëria

Shqipëria hap zyrtarisht negociatat me Bashkimin Evropian


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me homologun e tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, janë takuar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në prag të nisjes zyrtare të bisedimeve mes dy vendeve ballkanike dhe Bashkimit Evropian.

Shumë buzëqeshje dhe një shtrëngim duarsh.

Kjo ka qenë pamja e parë e liderëve ballkanikë në Bruksel, së bashku me presidenten e KE-së.

Disa tryeza me shumë rëndësi dhe konferenca të shumëfishta për shtyp do të zhvillohen ndërkaq përgjatë kursit të ditës, me një agjendë shumë intensive për delegacionin shqiptar dhe atë maqedonas.

Pas vitesh të tëra pritje, gjenerata e re e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE-së, merr jetë.

Rama falënderon Merkelin

Falënderime të shumta, por në sy bie njëri, edhe më i veçantë se të tjerët.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën hapëse të çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, ka falënderuar veçanërisht ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila feston edhe ditën e lindjes sot.

Nën theksimin e durimit shqiptar për t’u integruar brenda unionit, Rama nuk u ndal në teknikalitete (duke qenë se shumë takime e konferenca të tjera për shtyp do të mbahen gjatë ditës), por disa emra i veçoi, si njerëz me rol kyç në hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Së pari, ai falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilën e quajti edhe “një prani gjermane-ballkanike” në tryezat e ndërmjetësimit.

Për presidentin francez, Emmanuel Macron, shkuan po ashtu falënderime të përzemërta nga Rama, si personi kyç në hapjen e negociatave, me propozimin e tij për zgjidhjen e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Një seri hapash të radhës e presin tashmë vendin në rrugëtimin evropian, me kapituj të shumtë për t’u hapur e sfida dhe reforma për t’u përmbushur.

Ashtu si von der Leyen siguroi në fjalën e saj gjithsesi, çasti është historik dhe Bashkimi Evropian, është aty për të dy vendet, me ndihma konkrete dhe investime të shtuara.

Agjenda e plotë

Pala shqiptare kryesohet nga kryeministri i vendit, Edi Rama, dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka e zyrtarë të tjerë.

Në orën 8 të mëngjesit do të ketë një takim mes Ramës dhe homologut të tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pas këtij takimi do të mbahet një deklaratë e përbashkët mes të treve.

Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare do të nisë zyrtarisht në orën 11. Takimi me delegacionin evropian pritet të zgjasë 90 minuta e pas tij, do të ketë një konferencë për shtyp.

Nga aty, pritet të njoftohet çelja zyrtare e negociatave, ashtu siç e ka paralajmëruar më parë edhe Komisioneri për Zgjerimin pranë BE-së, Oliver Varhelyi.

Shqipëria – pranimi i së cilës në union është binjakëzuar me Maqedoninë e Veriut – ka marrë rekomandimin nga Komisioni Evropian për fillimin e hapjes së negociatave në prill të 2018-s.

Në qershor të atij viti, Këshilli Evropian pranoi se të dyja vendet kishin bërë përparim dhe përcaktuan rrugën e tyre drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Pavarësisht rekomandimeve të mëtejshme pozitive nga Komisioni në maj 2019, kundërshtimet e udhëhequra nga Franca detyruan dy herë Këshillin Evropian – i cili ka fjalën përfundimtare – të shtyjë një vendim për statusin e pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ministrat e jashtëm të BE-së më në fund ranë dakord në mars 2020 për të filluar bisedimet e pranimit me të dy vendet.

Çfarë përfaqëson Konferenca e Parë Ndërqeveritare?

Ajo në çfarë ky format, i njohur shkurtimisht si IGC (Inter-Governal Conference), konsiston, është takimi dypalësh mes strukturave të posaçme të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së një vendi kandidat.

Takimet nga radhët e BE-së i drejton përfaqësuesi i vendit që ka Presidencën e unionit në periudhën e përcaktuar kohore kur takimet mbahen.

Në to, ka një qëllim kryesor dhe ai është paraqitja e artikujve dhe kapitujve ligjorë që duhen arritur nga vendi kandidat. Në tërësi, janë rreth 130 mijë faqe material, të grupuar në 35 kapituj.

Vendi anëtar duhet ta sjellë legjislacionin e vet në kushte identike me ato të vetë unionit.

Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).

Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.

Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.

Gjatë Konferencave Ndërqeveritare, qëllimi i BE-së është të pasqyrojë dhe shpjegojë kuadrin ligjor në të cilin unioni funksionon dhe më pas të japë direktiva për arritjen e këtyre kritereve nga kandidatët.

Një raport publikohet më pas nga Komisioni Evropian për çdo kapitull të diskutuar në konferencë.

Këshilli i Evropës më pas, është ai që vendos ta pranojë apo jo propozimin e ardhur nga raporti i Komisionit. Në bazë unanimiteti, vendoset edhe hapja ose jo e kapitujve nga një vend.

Më pas, e njëjta procedurë vlen edhe për mbylljen e kapitujve, deri në plotësimin tërësor të tyre.

Në rast më pas të arritjes së mbylljes së të gjithë kapitujve nga një vend, “Traktati i pranimit” merr jetë. Por, procesi i negociatave zgjat zakonisht disa vjet, në varësi të plotësimit të kushteve nga vendi kandidat.

Fjala bie, Turqia i ka hapur negociatat që prej vitit 2005, por ato janë të bllokuara tërësisht pas hapjes së 16 kapitujve dhe nuk kanë një perspektivë afatgjatë lëvizëse me politikën e deri tanishme, duke parë vullnetin e të dy palëve.

Lajmi i mirë për Shqipërinë, është që procesi i “aquis” ka filluar prej kohësh dhe një sërë ligjesh janë përafruar me BE-në, duke e bërë edhe procedurën e Konferencave Ndërqeveritare më të lehtë në disa fusha.

Edhe pse e para është më së shumti një konferencë simbolike mirëseardhjeje në rrugëtimin e negociatave, mbajtja e IGC-së së parë mes Shqipërisë dhe BE-së do të jetë një datë historike, duke parë edhe kohën e gjatë të cilën Tirana ka pritur për hyrjen në bisedime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore