Shqipëria

Një hap larg Konferencës së parë Ndërqeveritare


Ngërçi bullgaro-maqedonas, nga aspekti legjislativ, u zgjidh.

Koha, përfundimisht, ka ardhur.

Negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të çelen zyrtarisht brenda të martës, siç e ka deklaruar më parë edhe Komisioneri për Zgjerimin pranë BE-së, Oliver Varhelyi dhe pikërisht për këtë çështje, kryeministri shqiptar, Edi Rama, udhëton sot drejt Brukselit, për të vulosur aktin.

E njëjta gjë, vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, pas kalimit (me shumë kritika opozitare) të propozimit francez në Parlament, me 68 vota. Ligjvënësit shqiptarë, pjesë e Kuvendit maqedonas, ishin themelorë edhe për kalimin e variantit “Macron” në Shkup.

Radha ndërkohë, i takon mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare mes dy vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Ajo në çfarë ky format, i njohur shkurtimisht si IGC (Inter-Governal Conference), konsiston, është takimi dypalësh mes strukturave të posaçme të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së një vendi kandidat.

Takimet nga radhët e BE-së i drejton përfaqësuesi i vendit që ka Presidencën e unionit në periudhën e përcaktuar kohore kur takimet mbahen.

Në to, ka një qëllim kryesor dhe ai është paraqitja e artikujve dhe kapitujve ligjorë që duhen arritur nga vendi kandidat. Në tërësi, janë rreth 130 mijë faqe material, të grupuar në 35 kapituj.

Vendi anëtar duhet ta sjellë legjislacionin e vet në kushte identike me ato të vetë unionit.

Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).

Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.

Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.

Gjatë Konferencave Ndërqeveritare, qëllimi i BE-së është të pasqyrojë dhe shpjegojë kuadrin ligjor në të cilin unioni funksionon dhe më pas të japë direktiva për arritjen e këtyre kritereve nga kandidatët.

Një raport publikohet më pas nga Komisioni Evropian për çdo kapitull të diskutuar në konferencë.

Këshilli i Evropës më pas, është ai që vendos ta pranojë apo jo propozimin e ardhur nga raporti i Komisionit. Në bazë unanimiteti, vendoset edhe hapja ose jo e kapitujve nga një vend.

Më pas, e njëjta procedurë vlen edhe për mbylljen e kapitujve, deri në plotësimin tërësor të tyre.

Në rast më pas të arritjes së mbylljes së të gjithë kapitujve nga një vend, “Traktati i pranimit” merr jetë. Por, procesi i negociatave zgjat zakonisht disa vjet, në varësi të plotësimit të kushteve nga vendi kandidat.

Fjala bie, Turqia i ka hapur negociatat që prej vitit 2005, por ato janë të bllokuara tërësisht pas hapjes së 16 kapitujve dhe nuk kanë një perspektivë afatgjatë lëvizëse me politikën e deri tanishme, duke parë vullnetin e të dy palëve.

Lajmi i mirë për Shqipërinë, është që procesi i “aquis” ka filluar prej kohësh dhe një sërë ligjesh janë përafruar me BE-në, duke e bërë edhe procedurën e Konferencave Ndërqeveritare më të lehtë në disa fusha.

Edhe pse e para është më së shumti një konferencë simbolike mirëseardhjeje në rrugëtimin e negociatave, mbajtja e IGC-së së parë mes Shqipërisë dhe BE-së do të jetë një datë historike, duke parë edhe kohën e gjatë të cilën Tirana ka pritur për hyrjen në bisedime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore