Shqipëria

Shqipëri-Kosovë; vendoset linja e transmetimit të energjisë 400 kv


Vendoset linja e transmetimit të energjisë 400 kv ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovëss në 14 dhjetor të 2020-ës, pas 4 vitesh bllokimi që nga përfundimi i punimeve.

Lajmin e dha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të përbashkët në dispecerinë e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Shqiperi, me zyrtarë të sektorit të energjisë në Shqipëri dhe Kosovë.

Rama tha se kjo ishte një arritje historike që kishte mbetur pezull që në vitin 2010.

“Nisim më në fund operimin e pavarur të Kosovës, si Zonë Rregulluese Brenda Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë. Gjithashtu, nis transmetimin linja 400 kv mes dy vendeve, një vepër strategjike me impakt në rritjen e sigurisë dhe kapaciteteve elektro-energjitike të dy shteteve tona”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.

Në shkurt të vitit 2010, Qeveria e Shqipërisë ka miratuar një hua për ndërtimin e linjës së transmetimit Shqipëri-Kosovë ku sipas zotimit të ministrit paraardhës linja e cila do të përfundonte brenda dy vitesh ishte “një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy vendeve, me potencialin e rregullimit të tregut të energjisë mes dy shteteve dhe më gjerë se kaq në rajon”.

Gjithashtu, Rama ka shpjeguar dhe arsyen pse puna për krijimin e linjës së transmetimit të energjisë është ndaluar.

“Dua të kujtoj se puna nuk filloi kurrë dhe për arsye të mosarsyes që nuk ka nevojë të qëndrojmë këtu gjatë, jo vetëm që asnjë gjë nuk nisi, por sistemi ynë elektroenergjetik vazhdoi të degradoj deri në pikën që u bë një barrë shtypëse mbi shpatullat e shtetit shqiptar e cila rrezikonte ta falimentonte financiarisht Shqipërinë”, është shprehur ai.

Kosova për katër vjet nuk ka mundur të merrte një kod transmetimi nga Rrjeti Europian i Autoritetit të Transmetimit sepse pala serbe pranonte ta njihte pavarësinë e rrjetit me kusht që të mbetej përsëri i varur nga Serbia.

Pas katër vitesh, është arritur të hiqet vetoja e Serbisë, bazuar në ndërveprimin rajonal si dhe me mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Sipas Ramës, “Vënia në operim e linjës do të sjellë një impakt në sigurinë e sistemit shqiptar dhe pritet të rrisë konsiderueshëm kapacitetin e rrjetit të OST-së”.

Duke qënë se SHBA-ja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e kësaj linje, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e ka cilësuar këtë ngjarje, si një gur kilometrik të rëndësishëm, në postimin e saj në Twitter.

Ajo thekson gjithashtu, mbështetjen e SHBA-së për sigurinë dhe energjinë në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore