Lajme

“Shpërbërja e Jugosllavisë duhet të përfundojë aty ku filloi – në Kosovë”


Ilustrim

“Strategjia e konvergjencës, pra afrimi gradual i pikëpamjeve dhe opinioneve të kundërta, është një udhërrëfyes që duhet përdorur në zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhjetëvjeçare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në planin afatgjatë një qasje e tillë do të kontribuonte në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor”.

Kështu është shkruar në një artikull të botuar nga Zëri i Amerikës, të cilët për bazë kanë marrë një propozim të paraqitur nga raporti “Nga kriza në konvergjencë – Strategjia për luftimin e paqëndrueshmërisë në Ballkan në burimin e saj”, e botuar nga Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit Johns Hopkins dhe Qendra Wilson.

Raporti në fjalë ofron një strategji për një kthesë – jo vetëm, siç vlerësohet, në lidhje me përkeqësimin shqetësues të situatës në Ballkan, por edhe ndikimin në rritje rus dhe kinez në Rajon.

“Në thelb të strategjisë është një argument i qartë, shpërbërja e Jugosllavisë duhet të përfundojë aty ku filloi – në Kosovë. Kjo vlen edhe për krizën e vazhdueshme në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet mes tjerash në raport.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga katër anëtarë mos-njohëse të NATO-s pra Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë e Greqisë do të kontribuonte në transformimin e dialogut, i cili vlerësohet të jetë i pa efektshëm.

“Të bindësh këto katër shtete anëtare të NATO-s, nuk është e lehtë. Një përpjekje e vendosur nga administrata e presidentit të SHBA-së Joseph Biden, së bashku me aleatët kryesorë , do të jetë e nevojshme për të bindur vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të ndryshojnë qëndrimin e tyre”, vazhdon raporti.

Në vend që të ushtrojë presion mbi partitë që nuk janë të gatshme ta njohin Kosovën, raporti mbron një strategji të konvergimit të pozicioneve të atyre vendeve me një qasje të shumicës të mbrojtur nga Bashkimi Evropian dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut.

Kjo, siç u tha, mund të arrihet nëse Perëndimi përcakton një qëndrim të përbashkët për Kosovën. Kjo tezë bazohet në pretendimin se përparimi në Ballkan varet nga pranimi i Serbisë për vendosjen e një rendi në rajon bazuar në vlerat perëndimore.

“Në rastin e Serbisë varet nga qëndrimi i shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën ndaj kësaj çështjeje. Me pak fjalë, vendet evropiane që nuk e kanë bërë këtë, si dhe ato që e kanë bërë – janë çelësi i stabilitetit rajonal”.

Një nga metodat potencialisht të suksesshme është identifikimi dhe zbatimi i procedurave që, siç është paralajmëruar, nuk paraqesin njohje të pavarësisë, por zvogëlojnë ndikimin e Serbisë dhe sinjalizojnë Beogradin dhe Prishtinën për një ndryshim të mundshëm të qëndrimeve të vendeve që nuk e njohin Kosovën.

Gjithashtu, një pjesë e vëmendjes së raportit është përqendruar në progresin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

Duke shpjeguar rolin dhe rëndësinë e hapjes së rrugës së Kosovës drejt NATO-s, autorët theksojnë se kjo, sipas tyre, do të eliminonte avantazhin aktual që ka Serbia ndaj fqinjëve të saj dhe në raport me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

“Në vend të kësaj, një ekuilibër do t’i lejonte Beogradit dhe Prishtinës të negociojnë një zgjidhje të vetme të mosmarrëveshjes që do të kontribuonte në stabilizimin, njohje reciproke të bazuar në një Republikë plotësisht sovrane, unitare dhe funksionale të Kosovës, me mbrojtjen e plotë të komunitetit serb të Kosovës. Përfitimet e një marrëveshjeje të tillë shkojnë përtej Kosovës”.

“Sa më i integruar të jetë veriu i Kosovës i dominuar nga serbët, aq më pak i realizueshëm është çdo bashkim i Kosovës dhe Shqipërisë ose ndarja eventuale – një pengesë e përhershme për një Shqipëri të madhe dhe një Serbi të madhe,” thuhet në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore