Shqipëria

Shoqëria civile në protestë për Butrintin, ‘po shitet shpirti i Kombit’


Teksa në Kuvend pritet diskutimi për projekt-ligjin për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, shoqëria civile është mbledhur për të protestuar.

Ishte ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçi, i cili ka shprehur pakënaqësi duke thëne se specialistët nuk janë pyetur.

Sipas tij, kjo është “një shitje e shpirtit të Kombit dhe kjo nuk mund të ndodhë”.

“Argumenti i Ramës është ‘ne e dimë se çfarë bëjmë’, kështu për mua këtu ka një përfitim që i kalon Fondit Amerikan”, tha Baçi.

Nga ana tjetër, ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ka përsëritur shpesh se Parku Kombëtar i Butrintit është pronë shtetërore dhe nuk do të tjetërsohet.

Opozita e ka kritikuar zyrtaren shqiptare lidhur me procedurat e ndjekura, për administrimin e sitit arkeologjik nga një fondacion privat.

Sipas tyre, qeveria shqiptare duhet të japë shpjegime se përse duhet një fondacion privat kur administrimin mund ta kryejë edhe vetë shteti.

Ndërkohë kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se në Butrint nuk do të ndërtohet asnjë objekt tregtar apo ndonjë gjë e ngjashme”.

Sipas tij, paratë që hyjnë në Butrint do të qëndrojnë aty – duke hedhur poshtë zërat kritikë.

Për të, Butrinti është në pronësi dhe kontrollohet nga qeveria dhe populli i Shqipërisë, por Fondacioni do të kontribuojë duke dhuruar 5 milionë dollarë për mbrojtjen e këtij parku.

Në këtë formë, asgjë nga këto që po bën Fondacioni nuk e ndryshon pronësinë dhe kontrollin e Butrintit si dhe objektet e trashëgimisë kulturore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore