Sport

Shkon në 5 numri i të arrestuarve pas incidentit në Gjilan


Deri më tani janë arrestuar pesë persona lidhur me incidentin i cili ndodhi sot në ndeshjen e Superligës së Kosovës në futboll mes Gjilanit dhe Ballkanit.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Lidhur me rastin pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, të ndodhur gjatë ndeshjes sportive të futbollit në Gjilan, Policia e Kosovës ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të arrestimit të personave të dyshuar dhe sjelljes së tyre para organeve të drejtësisë”, ka thënë Hashani për Albanian Post.

“Si rezultat i hetimeve intensive, deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar, dy nga të dyshimtit pas intervistimit në bazë të procedurave ligjore ndalen për 48 orë për Veprën penale ‘Lëndim trupor’, ndërsa tre të tjerë ‘prishje e rendit dhe qetësisë publike’, rasti procedohet në procedurë të rregullt”.

“Hetimet dhe veprimet policore lidhur me rastin janë duke vazhduar. Të gjitha veprimet policore janë duke u ndërmarrë dhe do të ndërmerren në vijim, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Kujtojmë që sot gjatë ndeshjes mes Gjilanit dhe Ballkanit, tifozët gjilanas hynë në fushë pas golit të barazimit, derisa ata sulmuan portierin e Ballkanit, Stivi Frashërin.

Nga ky sulm, Frashëri mbeti i lënduar, ku u desh ndërhyrja e ambulancës për ta dërguar atë në spital.

Ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, ku Ballkani kaluan të parët në epërsi në minutën e parë me golin e shënuar nga Ermal Krasniqi, derisa për Gjilanin barazoi portieri i tyre, Enea Koliçi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore