Libra

Shkatërruesi i iluzioneve


Në një botë ku shkenca dhe jeta në civilizim kishte filluar të çmistifikonte gjithçka, gjindej poeti i madh italian Giacomo Leopardi. Në një botë ku besimet në perëndi ishin zbehur e zhbërë, Leopardi, kërkonte të gjente dritën e besimit në diçka, çkado që të ishte ajo.

Leopardi pyet se si ja kanë dalur heronjtë e së kaluarës të bëjnë atë që kanë bërë? Si e kanë gjeneruar tërë atë vullnet për të vepruar? Përgjigja është iluzioni. Pa iluzion s’ka veprim. Heronjtë e së kaluar me iluzionet ideale të tyre janë trupëzuar në veprues të ideve të tyre të mëdha, që megjithathë ai i konsideron iluzore, por të domosdoshme për të inicuar veprim.

Leopardi, edhe pse fundamentalisht nihilist, mendimin e tij e trajekton rreth orbitës së iluzioneve, dhe përfundon se, për një jetë të lumtur, nuk duhet domosdoshmërisht të kemi yll-udhëzues të vërtetën, por iluzionin. Në një botë krejtësisht të çiluzionuar do të fundosemi në asgjënë dhe kotësinë e jetës.

A është iluzioni pozitiv në botëvështrimin e Leopardit? Ai në poemën e tij të famshme E pafundmja, përshkruan veten të ulur në një shpat, duke u gëzuar nga fakti që shikimi i tij është i bllokuar nga një gardh.

Duke e pasur të pamundur të sheh pamjen e vërtetë që shtrihet përtej saj, poeti mund të ndezë imagjinatën e tij e të krijojë pafund iluzione mbi atë se çfarë shtrihet përtej, gjë kjo që do të ishte e pamundur po të kishte pamjen e lirë.

Duke shikuar një ndeshje futbolli, Leopardi reflekton se “A ka qenë mundi njerëzor, ndonjëherë, diçka tjetër përveç se lojë? A është e vërteta më pak e zbrazët se gënjeshtra?”

Ideja(sado absurde) e fitores në një lojë futbolli ofrohet si zgjidhje, sado e përkohshme, në iluzionin e lumturisë në një jetë krejtësisht të çmagjepsur.

Leopardi unifikon energjitë kundërthënëse të jetës për të balansuar nihilizmin e tij. Edhe pse në zymtësinë e tij, ai bëhet i papërballueshëm, fuqia ose intenziteti i tij lirik është për tu adhuruar. Ai mospritjen mirë tij si poet nga bashkëkohësit e shpjegonte me faktin se ai mohonte plotësisht vlerën dhe përjetësinë e gjërave të kota. Leopardi thoshte se askush nuk e do lajmëtarin e lajmeve të këqija.

Ai e mohon edhe filozofinë, kur sulmon edhe vetë substancën e mendimit të Platonit, kur shkruan se njeri në një kohë primordiale kishte qenë plotësisht i qetë dhe i kënaqur në përvojat e tij të atypëratyshme e të drejtpërdrejta, kur përvojën e tij nuk e ndërmjetësonte me dije, e aq më pak me dije metafizike. Kur jeta s’ishte e ngatërruar në abstraksione, por në përvojën e kulluar të saj.

Ai thotë se kur e mira platonike, si forma më e lartë në hierarkinë e formave, synohet si esencë e përjetshme dhe e pakorruptueshme, atëherë, historikisht, ka rezultuar vetëm një gjë, persekutim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore