Sport

Shevchenko prezantohet te Genoa: Synimi është të qëndrojmë në Serie A


Andriy Shevchenko, ish-lojtari i Milan-it është rikthyer në Serie A, por tashmë në rolin e trajnerit. Ukrainasi është ulur në stolin e skuadrës më të vjetër në Serie A, Genoa-s.

Prezantimi i ish-trajnerit të Kombëtares së Ukrainës te kuqeblutë u bë gjatë kësaj të mërkure. 45-vjeçari falënderoi pronarët e rinj të klubit “777 Partners” për mundësinë që i dhanë.

“Dua të falënderoj Josh (Wander, 777 Partners) dhe Genoa që më bënë të kthehem në Itali. Një vend me të cilin kam një lidhje të veçantë. Shpresoj të vazhdoj karrierën time si trajner këtu”, kanë qenë këto fjalët e para të teknikut ukrainas.

“Objektivi numër një është që të luajmë sërish në Serie A vitin e ardhshëm dhe e vetmja mënyrë që di është të punoj. Do të bëjë gjithçka, duke dhënë maksimumin për të arritur këtë qëllim”, shtoi Sheva.

Tekniku tregoi se ishin pikërisht pronarët e rinj që e kishin kontaktuar dhe tregoi se çfarë e bindi për të kaluar në stolin e Genoa-s.

“Kam pasur kontakte vetëm me pronarin e ri. Ishte një bisedë e gjatë”, vijoi të thoshte ish fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2004.

“Projekti më bindi shumë. Besoj se Genoa do të jetë në gjendje të bëjë gjëra të mëdha në Itali në të ardhmen dhe sigurisht që do të kemi nevojë për tifozët”.

Më pas ai vijoi duke thënë se “Italia është një vend i rëndësishëm nga pikëpamja e futbollit. Shkolla italiane është e rëndësishme. Për mua, puna me trajnerë si Ancelotti, Zaccheroni dhe Cesare Maldini ishte një gjë e mrekullueshme”.

“Të vish si trajner në Itali do të thotë të jesh në gjendje të sfidosh trajnerët e mëdhenj që tani punojnë në Itali, është një sfidë stimuluese për mua”.

Pas pesë vitesh në krye të stolit të Kombëtares së Ukrainës, Sheva do të drejtojë për herë të parë në nivel klubesh në karrierë.

“Jam përgatitur për këtë, prisja një mundësi për të punuar në një klub. Sigurisht që ka shumë për të bërë tani, por kjo nuk më tremb”, theksoi kampioni i Serie A në sezonin 2003/04.

“Genoa ka qenë historikisht një ekip shumë agresiv, veçanërisht në shtëpi. Do të përpiqem të balancoj ekipin me vlerën e skuadrës”.

“Mendoj se ky ekip ka disa karakteristika. Tani ne do të studiojë mirë dhe me çfarë moduli ekipi mund të luajë më mirë. Një nga këto mund të jetë 3-5-2 ose 4-3-3”, përfundoi Shevchenko.

Stafi i Shevës do të përbehet nga Mauro Tassotti, që do të jetë zëvendës trajneri, si dhe ndihmësit Andrea Azzalin, Simone Bonomi, Valerio Fiori dhe Luigi Nocentini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore