Sport

Shefi ekzekutiv i Premier Ligës del kundër planit për Super Ligën europiane


Shefi ekzekutiv i Premier Ligës angleze, Richard Masters-i, ka hedhur poshtë mundësin e krijimit të Super Ligës europiane, e cila bazohet në një plan prej 6 miliardë dollarësh, ndërsa sporti po vuan pasojat financiare nga Covid-19. Sipas tij një garë e tillë midis ekipeve kryesore europiane do të dëmtonte dhe futbollin e brendshëm në të gjithë kontinentin.

Masters-i tha të enjten, në Samitin e Biznesit të Futbollit, se gara e shtyrë nga Real Madrid-i dhe Barcelona do të ishte “shkatërruese” për vlerën e futbollit të ligave në të gjithë Europën.

“Do të ishte e dëmshme pjesërisht, sepse liga nuk do të kishte promovim, do të pësonte rënie”, tha ai.

“Një arsye që Premier Liga mbetet shumë konkuruese është beteja e përvitëshme midis ekipeve për t’u kualifikuar në turnetë europiane. Çdo propozim për Super Ligën që kam lexuar ose dëgjuar nuk është në të mire të ligave vendase”, tha Masters-i.

Pjesëmarresit do të vazhdonin të luanin në ligat respektive gjatë fundjavave, ndërsa ndeshjet e Super Ligës do të luheshin në mesjavë, duke zëvendësuar Ligën e Kampionëve, garën e përvitëshme të drejtuar nga UEFA, që u shpërndanë klubeve pjesëmarrëse rreth 2 miliardë euro.

Ekipet kryesore angleze, duke përfshirë Manchester United-in dhe Liverpool-in, janë midis atyre klubeve që janë informuar rreth Super Ligës, e cila do të financohet nga një borxh prej 6 miliardë eurosh nga banka e investimve JP Morgan.

Sipas disa dokumenteve thuhej se 15 klubet themeluese do të marrin midis 100-350 milionë euro, nëse i bashkohen Super Ligës.

Edhe të tjerë nga ligat më të mëdha europiane, kanë hedhur poshtë këtë plan, sidomos pas efekteve negative që ka sjell pandemia. Klubet kanë humbur dhe një pjesë të mirë të të ardhurave të tyre, nga mos lejimi i tifozëve në stadiume.

Christian Seifert-i, shefi ekzekutiv i Bundesligës, kritikoi ekipet e përfshira në bisedime.

“E vërteta e disa prej ketyre të ashtuquajtura klube, kanë me të vërtet një menaxhim të dobët, janë makineri që djegin paratë dhe në një dekadë nuk kanë mundur t’i afrohen një modeli të qendrueshëm biznesi”, tha ai.

Masters-i dhe Seifert-i thanë se ishin të gatshëm të mbështesnin plane alternative nga UEFA për të reformuar Ligën e Kampionëve, në një turne të zgjatur me më shumë ndeshje midis skuadrave më të mira.

Masters-i tha se futbolli anglez nuk do të bëjë lëshime për të krijuar më shumë hapsirë për ndeshjet europiane, duke zvogëluar numrin e ekipeve në Premier Ligë.

“Kalendari i futbollit anglez është i ngjeshur. Unë mendoj se e ardhmja është e paparashikueshme, Premier Liga është një kompeticion me 20 klube”.

Premier Liga po planifikon këtë vit, të fillojë procesin e ankandit për të drejtat e transmetimit në Mbretërinë e Bashkuar për tre sezonet e ardhshme (2022-2025). Kontrata ekzistuese me Sky, BT dhe Amazon, vlen 5 miliardë paund, është më e larta se në çdo ligë tjetër, duke ndihmuar klubet angleze të bëhen ndër më të pasurat.

Pandemia ka bërë që transmetuesit të shkurtojnë shpenzimet e tyre për të drejtat sportive. Qeshorin e kaluar të drejtat e Bundesligës u shitën për 4.4 miliardë euro, për katër vite, duke filluar nga 2021. 5% më pak se marrëveshja e mëparëshme.

Simon Green-i, kreu i BT Sport, tha se ai priste një “deflacion” në tregun e të drejtave televizive të mediave në futboll.

Sidoqoftë, Masters-i vuri në dukje marrëveshjet e fundit televizive të Premier Ligës me Nent-in në Skandinavi dhe beIN Sport-in në Lindjen e Mesme, ishin në vlera të përafërta ose më të larta se para pandemisë.

“Unë e pranoj që jemi në një mjedis sfidues. Unë nuk e pranoj që gjërat rrafshohen ose që të shohim një kurbë në rënie”, tha Masters-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore