Lajme

SHBA vlerëson rreshtimin e Kosovës krahë vendeve demokratike ndaj agresionit rus në Ukrainë


Zëvendësministrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe Liza Gashi me delegacionin amerikan

Zëvendësministrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe Liza Gashi kanë pritur të martën në takim delegacionin amerikan të drejtuar nga Martin McDowell, Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore, në kuadër të Departamentit të Shtetit.

Në këtë takim thuhet se është diskutuar për raportet bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe situatën e sigurisë në rajon.

“Zëvendësministrat theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes të dyja vendeve, ndër të tjera edhe në dimensionin e sigurisë. Hapja e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, anëtarësimi i plotë në Kartën e Adriatikut dhe përafrimi sa më i shpejtë më NATO-në, janë hapa të domosdoshëm jo vetëm për sigurinë e Republikës së Kosovës, por edhe të rajonit dhe Evropës”.

Ndërsa, McDowell ka falënderuar Kosovën për strehimin e refugjatëve afgan dhe ka shprehur vlerësimin e lartë për rreshtimin e menjëhershëm të Kosovës me vendet demokratike, kundër agresionit ushtarak dhe invazionit të Federatës Ruse mbi Ukrainën.

“Të dyja palët shprehën vullnet për intensifikim të mëtutjeshëm të kontakteve, në shërbim të mirëmbajtjes dhe përparimit të raporteve të shkëlqyeshme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore