Lajme

SHBA-të “po luajnë me zjarrin”, paralajmëron Kina


Kina ka paralajmëruar se “Shtetet e Bashkuara po luajnë me zjarrin”.

Kjo pas deklaratës së presidentit amerikan, Joe Biden, se Washington-i “do ta mbronte Tajvanin ushtarakisht” nëse ishulli i vetëqeverisur sulmohet nga Pekini.

Zyra e Çështjeve të Tajvanit në Këshillin e Shtetit Kinez të hënën tha se SHBA-të “po përdorin ‘kartën e Tajvanit’ për të frenuar Kinën, por do të digjen vetë”.

Gazeta shtetërore kineze “Xinhua”, përcjell Albanian Post, citoi zëdhënësin e zyrës Zhu Fenglian, të ketë thënë se ai u kërkon SHBA-ve të “ndalonin çdo vërejtje ose veprim që shkel” parimet e vendosura më parë midis Pekinit dhe Washington-it.

Duke folur nga Tokio, gjatë një udhëtimi në Azi, Biden ishte përgjigjur me një “po” të paqartë kur u pyet nga gazetarët nëse SHBA-të do të “përfshiheshin ushtarakisht” për të mbrojtur Tajvanin nëse sulmohet nga Kina.

I shtyrë më tej për ndryshimin e dukshëm në politikën amerikane, Biden tha se “ky është angazhimi që kemi marrë”.

Ndonëse Biden është i prirë për gafa, kjo nuk është hera e parë që ai shpreh angazhimin për sigurinë e Tajvanit.

Gjatë një konference të organizuar nga CNN tetorin e kaluar, Biden gjithashtu tha se SHBA-të do t’i dilnin në mbrojtje Tajvanit nëse Kina përpiqet të pushtojë ishullin.

Pekini ende e pretendon Tajvanin, emri zyrtar i të cilit është Republika e Kinës, si një provincë dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkimit të dy palëve me forcë.

Pavarësisht se nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, SHBA-të e përshkruajnë ishullin si një “partner”.

Ndërkohë, marrëdhënia midis Washington-it dhe Pekinit është testuar në vitet e fundit, pasi SHBA-të i dhanë përparësi konkurrencës strategjike me Kinën në politikën e saj të jashtme nën udhëheqjen e ish-presidentit Donald Trump, pozicion i përqafuar plotësisht nga Biden.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore