Auto

SHBA/ Shitjet e makinave pritet të bien teksa kufizimet e furnizimit vazhdojnë


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gushti pritet të jetë muaji kur shitjet me pakicë të makinave të bien pasi mungesa globale e gjysmëpërçuesve e shoqëruar me variantin Delta të përhapur me shpejtësi të coronavirus-it ka rrudhur investimet.

Kështu kanë bërë me dije konsulentët J.D. Power dhe LMC Automotive përmes një raporti të nxjerrë të enjten e 26 gushtit.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se shitjet me pakicë të automjeteve të reja pritet të bien me 14.3 për qind në 987.100 në muajin gusht krahasuar me një vit më parë.

Mungesa e çipave vazhdon të rëndojë mbi aktivitetin prodhues, me prodhuesit e automjeteve që detyrohen të ndërpresin prodhimin pavarësisht kërkesës së madhe për transport personal gjatë krizës së COVID-19.

“Kërkesa globale e automjeteve të lehta mbetet nën presion nga kufizimet e rënda të inventarit të shkaktuara nga mungesa e gjysmëpërçuesve, si dhe ndërprerja nga varianti i COVID-19 Delta”, ka thënë Jeff Schuster, president i operacioneve të Amerikës dhe parashikimeve globale të automjeteve në LMC.

Aktualisht, tregtarët kanë afro 942 mijë automjete në inventar, krahasuar me afro tre milionë, dy vjet më parë.

“Industria ka inventar të pamjaftueshëm për shitësit për të përmbushur kërkesën e fortë të konsumatorit. Pasoja është që ritmi i shitjeve me pakicë është në rënie, por çmimet e transaksioneve janë të larta”, ka thënë Thomas King, president i sektorit të të dhënave dhe analitikës në J.D. Power.

“Reuters” shkruan se çmimet mesatare të transaksioneve pritet të rriten me 16 për qind në 41 mijë e 378 dollarë, pjesërisht për shkak të më pak stimujve të prodhuesit.

Kurse në shtator, inventarët e ngushtë nuk ka gjasa të përmirësohen në mënyrë domethënëse pasi çështjet e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit dhe njoftimet e fundit për shkurtime të mëtejshme të prodhimit nga disa prodhues vazhdojnë të peshojnë.

Gjithashtu konsulentët kanë ulur parashikimin e tyre për shitjet globale të automjeteve në 2021-n me dy milionë njësi në 83.8 milionë njësi, për shkak të mungesës së vëllimit të mjaftueshëm të prodhimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore