Lajme

Makinat elektrike kineze, “kërcënim për industrinë amerikane të automobilave”


Presidentit Joe Biden i është kërkuar të ndalojë importet e makinave elektrike të prodhimit kinez në SHBA.

Kryetari i Komitetit Bankar të Senatit, Senatori Sherrod Brown, shkroi se “mjetet elektrike kineze janë një kërcënim ekzistencial për industrinë amerikane të automobilave”.

Komentet e tij janë më të fortat ende nga çdo ligjvënës amerikan për këtë çështje, ndërsa të tjerë kanë kërkuar tarifa të larta për të mbajtur automjetet elektrike kineze jashtë vendit.

Në shkurt, Shtëpia e Bardhë tha se SHBA po hapte një hetim nëse makinat kineze paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

“Ne nuk mund ta lejojmë Kinën të sjellë mashtrimin e saj të mbështetur nga qeveria në industrinë amerikane të automobilave”, ka thënë senatori Brown në një video në platformën e mediave sociale X.

Senatori Brown, i cili është një demokrat nga shteti prodhues i makinave të Ohajos, po kërkon të fitojë një mandat të katërt në detyrë në zgjedhjet e nëntorit.

Në shkurt, presidenti Biden ka thënë se politikat e Kinës “mund të vërshojnë tregun tonë me automjete, duke paraqitur rreziqe për sigurinë tonë kombëtare”.

Dhe se “nuk do ta lejojë këtë të ndodhë”.

Washington-i mund të vendosë kufizime lidhur me shqetësimet se teknologjia në makinat e prodhuara në Kinë mund të “mbledhë sasi të mëdha të dhënash të ndjeshme për drejtuesit dhe pasagjerët e tyre”, ka deklaruar Shtëpia e Bardhë.

Kina është prodhuesi më i madh në botë i makinave dhe konkurron me Japoninë për të qenë eksportuesi më i madh i automjeteve.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë janë bllokuar në një luftë tregtare që nga viti 2018, kur administrata e atëhershme e ish-presidentit Donald Trump vendosi tarifa për më shumë se 360 miliardë dollarë të mallrave kineze.

Pekini u hakmor me tarifa për më shumë se 110 miliardë dollarë produkte amerikane.

Presidenti Biden i ka mbajtur kryesisht ato tarifa në vend.

Vitin e kaluar vlera e mallrave që SHBA bleu nga Kina ra me pak më shumë se 20% në 427 miliardë dollarë.

Në të njëjtën kohë, eksportet e SHBA në Kinë ranë me 4% në pak më pak se 148 miliardë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore