Uncategorized

Sfida e dyfishtë ndaj Putin-it nga Navalnaya dhe Von der Leyen


Evropa – në një kontekst të tensioneve në rritje me Rusinë – po përgatit planin për një “ekonomi lufte”.

Po ashtu parashikon një fuqizim të industrisë ushtarake për “të shpenzuar më shumë, më mirë dhe në një mënyrë evropiane”.

Kështu thuhet në draft dokumentin që përmban strategjinë e re që “La Stampa” ka mundur ta shikojë.

Madje për këtë foli edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dje në Parlamentin e Strasburgut, pak para Yulia Navalnaya-s.

Për të mposhtur Putin-in duhet të bëheni novator, i drejtohet Navalnaya Parlamentit Evropian

Sakaq, e veja e disidentit rus Alexei Navalny ka inkurajuar institucionet e Bashkimit Evropian që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

“Nuk keni të bëni me një politikan, por me një mafioz gjakatar. Putin-i është lideri i një bande të organizuar kriminale”, ka thënë ajo para eurodeputetëve.

Për këtë arsye duhet “të adoptojmë metodat e luftimit të krimit. Jo nota diplomatike, por hetime. Jo deklarata shqetësimi, por një kërkim për bashkëpunëtorët e mafies në vendet tuaja”, ka shtuar ajo.

Një apel u nis në ditën kur “Financial Times” zbuloi përmbajtjen e dokumenteve konfidenciale ushtarake që ilustrojnë doktrinën e Moskës në lidhje me përdorimin e armëve taktike bërthamore.

E që përcaktojnë kriteret minimale për përdorimin e tyre.

Forcat ruse kanë ‘provuar përdorimin e armëve taktike bërthamore’, sipas dosjeve ushtarake

Von der Leyen ndërkohë, ka rikujtuar se “kërcënimi i luftës mund të mos jetë i pashmangshëm, por nuk është i pamundur”.

Ndaj duhet të “jemi të përgatitur” dhe për këtë është e nevojshme “rindërtimi dhe modernizimi i forcave të armatosura të shteteve anëtare”.

Komisioni ka zhvilluar një Strategji Evropiane të Mbrojtjes, e cila pas disa shtyrjeve duhet të miratohet javën e ardhshme.

Plani përshkruan mekanizmin e ri për prokurimin e përbashkët të armëve “ashtu siç u veprua me vaksinat ose gazin natyror”, sipas von der Leyen.

Paralelisht, BE synon të dyfishojë prodhimin e municioneve brenda një viti: objektivi është të arrijë dy milionë plumba në vit deri në fund të vitit 2025.

Por njëherazi duhet të ketë burime për këtë objektiv të fundit, për të gjithë strategjinë industriale nuk ka ende një marrëveshje për fondet që do të vihen në dispozicion.

As për masën dhe as për origjinën e atyre burimeve, të cilat sipas disa qeverive duhet të mblidhen përmes eurobonove duke emetuar borxh të përbashkët.

Në dy dokumentet që do të miratojë kolegji i komisionerëve, një komunikatë dhe një rregullore, në fakt nuk ka asnjë gjurmë të shifrave.

Thierry Breton, Komisioneri i Industrisë përgjegjës për Mbrojtjen, nuk e humbi mundësinë për të nisur një goditje të dyfishtë ndaj von der Leyen, por jo vetëm.

“Për një mbrojtje të besueshme evropiane duhet të kemi edhe ambicie të mjaftueshme buxhetore. Përveç Emmanuel Macron, Kaja Kallas dhe Alexander de Croo, nuk i dëgjoj liderët evropianë të flasin sa duhet për këtë çështje”.

Më pas sulmi iu drejtua von der Leyen, e cila me rastin e riemërimit kishte propozuar emërimin e një komisioneri për mbrojtjen.

“Për ta krijuar atë, traktatet do të duhej të ndryshoheshin. Kjo padyshim që aktualisht nuk është e realizueshme. Dhe kështu nëse pyetja është të kemi një komisioner për industrinë e mbrojtjes, më duket se tashmë është një”.

Një klimë që është tregues i ajrit parazgjedhor që tashmë ndihet brenda Palazzo Berlaymont.

Në planin e Komisionit, pjesëmarrja në blerjet e përbashkëta do të jetë në baza vullnetare, por vendet do të stimulohen, për shembull përmes përjashtimit nga TVSH-ja.

Do të vendoset një kuotë minimale blerjesh, e cila do të duhet të bëhet bashkërisht: në draft dokument shifra është ende e mbuluar me një “X” sepse aktualisht është në diskutim.

Ndërkaq, Komisioni raporton se “shumica dërrmuese” e sistemeve të mbrojtjes blihen nga industri jo-BE: objektivi i planit është të sjellë pjesën e tregut evropian në një nivel “midis një të tretës dhe gjysmës” së totalit deri në vitin 2035.

Strategjia e re planifikon po ashtu të përfshijë edhe Ukrainën në Edtib, pra bazën industriale dhe teknologjike të mbrojtjes së BE-së.

Von der Leyen, gjatë fjalës së saj, nisi një propozim në lidhje me përdorimin e fitimeve shtesë që u krijuan nga asetet e ngrira ruse.

Reflektimi ka qenë duke u zhvilluar brenda BE-së për këtë temë për disa kohë, veçanërisht në një nivel ligjor: tani që duket se ka një marrëveshje në nivelin G7.

Ajo sugjeron ndarjen e këtyre burimeve për blerjen e përbashkët të pajisjeve ushtarake për Ukrainën.

Në thelb, armët për Kievin do të financoheshin me paratë ruse: një lëvizje, ende e pa përcaktuar, me një vlerë të lartë simbolike.

“Kjo është përgjegjësia e Evropës për sigurinë e saj. E vërteta është se ne nuk mund ta përballojmë luksin për të qëndruar të qetë. Ne nuk kemi kontroll mbi zgjedhjet apo vendimet në pjesë të tjera të botës. Me ose pa mbështetjen e partnerëve tanë, ne nuk mund të lejojmë që Rusia të fitojë”.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Rusia krijon “imitues të shpërthimit bërthamor”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore