Lajme

Për të mposhtur Putin-in duhet të bëheni novator, i drejtohet Navalnaya Parlamentit Evropian


“Nëse vërtet dëshironi të mposhtni Putin-in, duhet të bëheni novator, nuk mund ta lëndoni Putin-in me një rezolutë tjetër ose një grup tjetër sanksionesh që nuk janë të ndryshme nga ato të mëparshme, se nuk keni të bëni me një politikan, por me një mafioz gjakatar”.

Kështu është shprehur Yulia Navalnaya, e veja e Alexei Navalny-t, teksa iu drejtua Parlamentit Evropian.

“Gjëja më e rëndësishme janë njerëzit e afërt të Putin-it, miqtë e tij, bashkëpunëtorët dhe ruajtësit e parave të mafies. Të gjithë ne duhet ta luftojmë këtë bandë kriminale”, ka ravijëzuar ajo.

Në fjalimin e saj, ajo akuzoi autoritetet ruse, të udhëhequra nga presidenti Vladimir Putin, se kanë orkestruar vrasjen e Navalny-t.

Sipas saj, vrasja publike u ka treguar edhe një herë të gjithëve se “Putin-i është i aftë për çdo gjë dhe se nuk mund të negociosh me të”.

Navalnaya shprehu gjithashtu shqetësimin se asnjë nga masat e tanishme kufizuese të Bashkimit Evropian nuk e ka ndaluar me të vërtetë agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Për këtë qëllim, ajo bëri thirrje për ide më inovative për të mposhtur regjimin e Putin-it, si brenda vendit ashtu edhe veprimet e tij ndaj fqinjëve.

Ajo vazhdoi duke thënë se, të jesh politikisht novator do të thotë të luftosh krimin e organizuar dhe jo konkurrencën politike.

“Jo nota diplomatike, por hetime për makinacionet financiare. Jo deklarata shqetësuese, por një kërkim për bashkëpunëtorët e mafies në vendet tuaja, për avokatët dhe financuesit e matur që po ndihmojnë Putin-in dhe miqtë e tij për të fshehur paratë”.

Po ashtu Navalnaya ka theksuar se “në këtë luftë keni aleatë të besueshëm – ka dhjetëra miliona rusë që janë kundër Putin-it, kundër luftës, kundër të keqes që ai sjell”.

“Putin-i duhet të përgjigjet për atë që i ka bërë vendit tim. Putin-i duhet të përgjigjet për atë që i ka bërë një vendi fqinj paqësor. Dhe Putin-i duhet të përgjigjet për gjithçka që i ka bërë Alexei-t”, ka përsëritur ajo në fjalën e saj.

Para vdekjes së tij në burg më 16 shkurt 2024, Navalny ishte një nga zërat më të famshëm opozitarë të Rusisë, i njohur për punën e tij në ekspozimin e korrupsionit, si dhe një kritik i flaktë i Presidentit Putin.

Rrethanat e sakta të vdekjes së tij mbeten të paqarta.

Navalny-t iu dha Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian për Lirinë e Mendimit në vitin 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore