Lajme

Serbia “zhduk” posterët e Dua Lipës si imazh i markës “Puma”


Bojkotimi i artistëve shqiptarë me famë botërore po vazhdon të jetë aktualitet në shtetin fqinj të Serbisë.

Dikur në Beograd ishin mbajtur protesta për të larguar reklamat e artistes, Rita Ora, ndërsa së fundmi, në shenjë pakënaqësie ndaj reklamave të markës “Puma”, imazh i të cilës është këngëtarja, Dua Lipa, serbët e revoltuar kanë nisur të shprehin bojkotimin dhe urrejtjen ndaj saj.

Dua Lipa imazh i markës “Puma”.

Madje, qytetarët e Nish-it, kanë kërkuar që të largohen reklamat e Dua Lipës në një linjë e dyqaneve që ndodhet në këtë qytet.

Kërkesa e qytetarëve serb, të cilët kishin nisur ankesat e tyre drejt mediumeve më me nam në Serbi si dhe drejtpërdrejt në qendrën e markës “Puma”, është miratuar menjëherë dhe posterët e Lipës janë hequr për një kohë rekorde.

“Unë besoj se “Puma” e vendos atë reklamë kudo në vendin tonë, por është për t’u habitur që ata nuk e dinë qëndrimin e saj ndaj Serbisë”, ka thënë një lexues i “Novosti” për redaksinë e kësaj medie.

“Si mundet që dikush që përhap në mënyrë aktive gënjeshtra për historinë tonë të shfaqet në tabelat që zbukurojnë qendrat tregtare vendase?”, ka shkruar një tjetër lexues.

Ndërkohë, një tjetër është shprehur – “Në këtë mënyrë, populli serb tallet dhe nënçmohet në një kohë kur statusi i krahinës jugore serbe është i çështje e ndjeshme. Nëse nuk e respektojmë veten, pse do të na respektojnë të tjerët”.

Në artikullin e publikuar gazeta serbe “Novosti” shkruan se Dua është një nacionaliste që bën thirrje për Shqipërinë e Madhe, ndërsa ka theksuar faktin se kohë më parë, Dua i kishte kërkuar gjigandit “Apple” që ta vendosë Kosovën dhe Palestinën në hartë.

Dua Lipa.

Shkrimi përfundon me një “biografi”, kushtuar Duas dhe prindërve të saj, Dukagjin dhe Anesa Lipa.

“Këngëtarja Dua Lipa prej vitesh rregullisht bën postime në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, ku jetoi për ca kohë si adoleshente. Ajo lindi në vitin 1995 në Londër. Prindërit e saj u transferuan atje në 1992, duke ikur nga lufta në ish-Jugosllavi”.

“Babai i saj, Dukagjini Lipa është i angazhuar në marketing dhe ai është gjithashtu anëtar i grupit kosovar ‘Oda’, dhe nëna e saj, Anesa punon në turizëm. Ajo ka fituar çmime të rëndësishme në këtë industri”, përfundon “Novosti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore