Kosova

Serbia ua refuzon kërkesën ministrave kosovarë për të vizituar Luginën


Qeveria e Kosovës.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se Serbia ua ka refuzuar kërkesën për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë,  sipas Aliut, atyre u është refuzuar kërkesa pa asnjë arsyetim.

“Nga Serbia, na refuzohet pa arsye kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në momentin para nisjes”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Ndërsa, tutje bën të ditur se përveç tij të njëjtin refuzim e kanë pasur edhe disa ministra të tjerë.

“Bashkë me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tone”.

Lugina e Preshevës.

Aliu, shton se refuzimi është bërë të shtunën në orën 07:13.

“Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13.Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”.

Gjithashtu, ai thotë se të gjitha procedurat i kanë përfunduar duke zbatuar marrëveshjen në Bruksel.

“Ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës”.

“Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”.

Sipas tij, “refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

Agjenda e aktivitetit të planifikuar të ministrave të Kosovës përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore