Lajme

Serbia nuk dënoi përpjekjet e Rusisë për të justifikuar dëbimin e fëmijëve ukrainas


Bashkimi Evropian dhe 49 vende lëshuan të mërkurën e 5 prillit një deklaratë të përbashkët duke dënuar Rusinë për organizimin e një takimi jozyrtar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që synonte përhapjen e “dezinformimit në lidhje me dëbimin e saj të përhapur dhe të paligjshëm të detyruar të mijëra fëmijëve ukrainas”.

Deklarata, e publikuar nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Sergiy Kyslytsya, pretendon se takimi i 5 prillit ka abuzuar më tej “fuqinë dhe privilegjet” e një anëtari të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilin Rusia e kryeson këtë muaj.

“Rusia do të kërkojë të paraqesë veprimet e saj në Ukrainë si në përputhje me ligjin ndërkombëtar, të drejtat e fëmijëve dhe axhendën e fëmijëve dhe konfliktit të armatosur. Kjo nuk mund të jetë më larg nga e vërteta”, thuhet në deklaratë.

Një ndër aspektet që ra në sy ishte mosangazhimi i Serbisë kundër përpjekjeve të Rusisë për të justifikuar dëbimin e fëmijëve ukrainas.

Dhe ky hoshilacion është i pakuptimtë pas dy votimesh në OKB të diplomacisë serbe kundër agresionit dhe aneksimit të paligjshëm rus në territorin e Ukrainës.

Më 2 mars të vitit të kaluar Beogradi zyrtar votoi në favor të rezolutës së OKB-së që dënonte agresionin rus kundër Ukrainës në një seancë urgjente, duke fituar vlerësime nga ambasadat perëndimore në vend.

“Po” për rezolutën erdhi nga 141 vende; pesë votuan kundër dhe 35 abstenuan.

Ndërsa më 13 tetor Serbia ishte mes 143 vendeve që votuan për një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënonte përpjekjen e paligjshme të Moskës për të aneksuar katër rajone të Ukrainës.

Deklarata

Veprimtaria e Rusisë përfshiu Maria Lvova-Belova, komisionerja e vendit për të drejtat e fëmijëve.

Lvova-Belova dhe presidenti rus Vladimir Putin janë subjekt i urdhërarresteve të lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë muajin e kaluar, duke përmendur akuzat për krime lufte për rrëmbimin dhe dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas.

“Ne dënojmë pa mëdyshje veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë dhe në veçanti deportimin e detyruar të fëmijëve ukrainas, si dhe shkelje të tjera të rënda kundër fëmijëve të kryera nga forcat ruse në Ukrainë”, thuhej në deklaratën e përbashkët. “Asnjë sasi e dezinformatave të përhapura nga Rusia nuk mund të mohojë të vërtetën e çështjes dhe as të mbrojë individët nga përgjegjësia për këto krime”.

Misioni i Mbretërisë së Bashkuar së bashku me Shqipërinë dhe SHBA-të më herët bllokuan transmetimin në internet të OKB-së të takimit joformal të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, duke thënë se Lvova-Belova “nuk duhet t’i lejohet një platformë e OKB-së për të përhapur dezinformata”.

Takime të tilla nuk mbahen në dhomën e këshillit të sigurisë dhe të 15 anëtarët e këshillit duhet të bien dakord për të lejuar transmetimin e tyre në internet nga Kombet e Bashkuara.

Forcat ruse kanë transferuar ose deportuar në mënyrë të paligjshme 19 mijë e 514 fëmijë ukrainas në Rusi, duke shkelur Konventat e Gjenevës, njoftoi më 28 mars Ministria e Riintegrimit e Ukrainës.

Deri më sot, vetëm 327 fëmijë janë kthyer në Ukrainë.

Rusia përdor presidencën në Këshillin e Sigurimit për të gënjyer mbi rrëmbimet e fëmijëve nga Ukraina, Shqipëria dhe 49 vende anëtare në OKB e dënojnë aktin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore