Shqipëria

Rusia përdor presidencën në Këshillin e Sigurimit për të gënjyer mbi rrëmbimet e fëmijëve nga Ukraina, Shqipëria dhe 49 vende anëtare në OKB e dënojnë aktin


Janë 50 vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përfshi Shqipërinë, ato të cilat e kanë dënuar me gjuhën më të ashpër, pozicionimin e fundit rus, për të shfrytëzuar presidencën e radhës në drejtim të Këshilli të Sigurimit, për të shpërndarë propagandën e saj dhe për të gënjyer mbi rrëmbimet e fëmijëve ukrainas gjatë luftës.

Shqipëria, është po ashtu një ndër 15 anëtaret e Këshillit dhe roli i saj është i shtuar në këtë çështje, duke qenë se merr aktivisht pjesë në takimet që organi i lartë i OKB-së zhvillon.

Sipas një komunikate për shtyp të firmosur nga 50 vende dhe të mbështetur gjerësisht nga SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, takimi informal i zhvilluar nën formulën “Arria”, i zhvilluar prej Rusisë, kishte pikërisht për qëllim të propagandonte mbi rrëmbimet e fëmijëve rusë.

Madje, ironikisht, Moska i kishte dërguar një ftesë formale edhe Maria Lvova-Belova-s, e cila është Presidentja e Komisionit rus për të Drejtat e Fëmijëve.

Ajo, së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin, mbartin mbi shpatullat e tyre një urdhër ndërkombëtar arresti, pas vendimit që Gjykata Ndërkombëtare Penale ka marrë sa i takon pikërisht çështjes së rrëmbimit të fëmijëve nga Ukraina dhe kryerjes së krimeve të luftës.

“Sot, Federata Ruse do të abuzojë më tej me kompetencat dhe privilegjet e një anëtari të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të përhapur dezinformata rreth rrëmbimit të saj të gjerë dhe dëbimit të paligjshëm të mijëra fëmijëve ukrainas”.

Kështu shkruhet në hyrje të deklaratës së firmosur nga 50 vendet anëtare, përfshi Shqipërinë.

Më tej, shpjegohet se si është e palejueshme që formula të tilla të ndërmerren nga një shtet agresor si Rusia, i cili ka risjellë luftën në kontinentin e vjetër, pas dekadash.

Teksa, përtej dënimit që i bëhet thirrjes së takimit, vihet sërish vëmendja në faktin se Moska shumë herë i ka thyer ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në periudhën e fundit njëvjeçare të luftës, duke kryer krime të tmerrshme lufte.

Paralelisht, një nismë është ndërmarrë nga lëvizja “Atlas”, e cila kërkon bojkotimin e presidencës ruse në Këshillin e Sigurimit gjatë muajit prill, për të shmangur këto mbledhje “farse”.

Për t’u realizuar kjo nismë, duhet të bashkohen shtatë nga 15 vende anëtare të Këshillit dhe Shqipëria, mund të jetë një prej tyre.

Të bojkotosh Rusinë, në një OKB që po humb besueshmërinë – Intervistë e Albanian Post me aktivisten Colombe Cahen-Salvador

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore