Lajme

Senati drejt baraspeshës së plotë në SHBA, Kongresi i sigurt për republikanët


Senati në SHBA, do të jetë në baraspeshë të plotë me nga 50 përfaqësues për të dy palët, si demokratët, ashtu edhe republikanët, në bazë të shifrave të fundit të publikuara në rezultatet e zgjedhjeve “mid-terms”, të zhvilluara të martën e 8 nëntorit.

Me vetëm tre shtete të mbetura në garë për karrigen e senatorit (Nevada, Arizona, Georgia), republikanët kryesojnë me 49 ulëse kundrejt 48 të demokratëve.

Por, këta të fundit, me shumicën e votave të numëruara në Georgia dhe Arizona, janë përpara republikanëve dhe pritet të fitojnë, me Nevadën që duket vështirë të kthehet në favor të demokratëve.

Kështu, ekuacioni përmbushet në 50 me 50 dhe lë në baraspeshë Senatin – një fitore e vogël për demokratët, të cilët mendonin se mund ta humbnin kontrollin.

Shteti kyç i kthyer nga ata, ka qenë Pennsylvania, ku demokrati John Fetterman arriti një fitore të paparashikuar përballë rivalit republikan, Mehmet Oz.

Sa i përket Kongresit, njohur ndryshe edhe si dhoma e përfaqësuesve, republikanët e kanë thuajse të sigurt shumicën me ulëse.

Me numërimet e deri tanishme, 202 karrige janë të republikanëve dhe 186 të demokratëve.

Të parëve, u duhen thjesht 13 karrige rivale për të marrë shumicën e 218 ulëseve dhe në një sërë zonash, kandidatët e tyre janë në avantazh.

Në terma të gjerë, gara e “mid-terms” po cilësohet si një humbje, por jo “dërrmim” i demokratëve. ,

Joe Biden, siç pritej, del i tkurrur nga zgjedhjet dhe do të duhet të negociojë me opozitën në Kongres.

Por presidenti nuk u “poshtërua” siç kishte shpresuar rival ii tij, Donald Trump.

Pasoja politike më logjike për Biden tani është se do të jetë në gjendje të vazhdojë strategjinë e tij në dy nivele.

Nga njëra anë, do të duhet të kërkojë me më shumë bindje një marrëveshje me sektorin e moderuar të republikanëve për prioritetet e vendit: inflacioni, energjia, ndryshimet klimatike, ndihma për Ukrainën.

Nga ana tjetër, do mund të dalë haptazi duke rikandiduar për vitin 2024, duke i mbyllur kështu gojën pretendentëve të tjerë të qendrës.

Paradoksalisht, pamja mund të paraqitet më konfuze në kahun e fituesve.

Duke parë hartën e qarqeve duket se kandidatët “Trumpist” nuk kanë qenë triumfuesë.

Në të vërtetë, veçanërisht në Dhomën e Përfaqësuesve, shumë konkurrentë ekstremistë janë mundur në shtetet “në dyshim”, si Ohio dhe Penssylvania.

Mund të imagjinojmë se kjo nuk do të ndryshojë planet e Donald Trump.

Më 15 nëntor ai do të shpallë kandidaturën e tij për Shtëpinë e Bardhë.

E treta herë radhazi. Lajm i marrë tashmë si i mirëqenë në kështjellën politike të Washington-it.

Do t’u mbetet liderëve parlamentarë të partisë republikane të vendosin se si të menaxhojnë shumicën e mundshme në Dhomë.

Do bëjnë dy vjet sulme të pandërprera, hetime parlamentare kundër Biden? Apo një legjislaturë produktive, për t’i treguar vendit se republikanët qeverisin më mirë se demokratët?

Hipoteza e parë është ajo e Trump-it, e dyta ekziston në letër, por ende nuk ka një lider të njohur.

Në botën konservatore, prej muajsh po zhvillohet një konfrontim, ndonjëherë edhe i ashpër dhe që, në shumë mënyra, të kujton dinamikën e vitit 2016.

Asokohe, establishment-i republikan u përpoq të frenonte ngritjen e Trump-it.

Por nuk arriti të drejtohej në një kandidat të vetëm.

Senatorët Marco Rubio i Floridës dhe Ted Cruz i Texas-it donin të qëndronin në garë deri në fund.

Trump i tejkaloi ata një nga një. Sot propozohet sërish e njëjta temë.

Udhëheqësit e Washington-it të GOP-it, “Partia e Vjetër e Madhe (republikanëve)”, po mendojnë se kush mund të bllokojë kthimin e Donald Trump.

Senatori numër një Mitch McConnell, ish-zëvendës presidenti Mike Pence dhe të tjerë e konsiderojnë atë nëse jo “një udhëheqës i grushtit të shteti”, siç mendojnë demokratët, sigurisht një figurë edhe më toksike dhe përçarëse për vendin se sa ishte tetë apo katër vjet më parë.

Problemi është se, tani si atëherë, po rezulton e vështirë të ndërtohet një bllok kompakt anti-Trump.

Megjithatë, ka akoma margjina politike dhe sociale për të tentuar manovrën.

Sondazhi i fundit i porositur nga “NBC TV” tregon se 62 për qind e votuesve republikanë nuk identifikohen domosdoshmërisht me Trump-in.

Në janar 2021, kjo përqindje ishte vetëm 46 për qind.

Është edhe lideri alternativ, guvernatori i Floridës Ron DeSantis, 44 vjeç, hiper-konservator, anti-aborcionist i ngurtë, i aftë, në teori, të trashëgojë votat e bazës Trumpist-e.

DeSantis, fitoi lehtësisht në Florida, duke u rikonfirmuar si guvernator.

A do të jetë ai “federatori” i një koalicioni anti-Trump? Ish-presidenti e ka ndjerë tashmë rrezikun, duke i vënë një pseudonim nënçmues: “Sanctimonous”, hipokrit, fanatik.

Por në këtë rast, konkurrentët e tjerë të mundshëm duhet të bëjnë një hap prapa dhe lista është e gjatë. Bëhet fjalë për Pence, sërish Rubio, ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo, ish-ambasadorja e OKB-së Nikki Haley.

Por ka një çështje tjetër që mund të funksionojë në favor të Trump-it.

Në javët e ardhshme, Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, pritet të padisë ish-presidentin në lidhje me dokumentet e klasifikuara të mbajtura ilegalisht në rezidencën Mar-a-Lago.

Trump tashmë ka bërë të ditur se do të thërriste bazën e tij për t’u mobilizuar.

Ligjvënësit Trumpist që mund të kryesojnë komitetet gjyqësore si kongresmeni Jim Jordan dhe senatori Ron Johnson, kanë thënë tashmë se do të hetojnë FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë.

Si do të sillen republikanët e tjerë? Ndoshta do të përshtaten për të mos i dhënë një avantazh demokratëve.

Në atë pikë, megjithatë, do të ishte më e ndërlikuar t’u shpjegosh votuesve pse ish-presidenti nuk është i përshtatshëm për të qeverisur vendin.

E komplikuar, por jo e pamundur, veçanërisht nëse hetimi më 6 janar do të përfundonte me aktakuzën ndaj Trump-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore