Lajme

Selmanaj: Kosova i mundësoi Serbisë ta heqë përgjegjësinë penale juridike shtetërore për “zhdukjet e dhunshme”


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën e qasjes së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në dialogun Kosovë-Serbi.

Selmanaj, në seancën e Kuvendit ka thënë se kryeministri ka vazhduar “episodin e dëmshëm” për vendin.

“Shpreh shqetësimin tim për mënyrën e qasjes dhe veprimet e pamatura të kryeministrit Kurti në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, para dy dite në Bruksel. Kryeministri Albin Kurti vazhdoi episodin e dëmshëm për vendin filluar me marrëveshjen e Ohrit më 19 mars 2023”.

“Për fat të keq tani radhën e kishte një temë tejet e ndjeshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti për familjarët e 1 mijë e 657 personave që sot e kësaj dite vazhdojnë te jenë të zhdukur dhe familjarët e tyre dhe shoqëria kosovare tash e 24 vjet presin që të zbardhet fati i tyre”, ka thënë Selmanaj.

Teksa për deklaratën për Personat e Pagjetur e cila u miratua më 2 maj në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, e që nuk e ka termin të zhdukur me dhunë (Enforced Disappearance) sipas Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave të Zhdukur me Dhunë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por, e ka termin të zhdukur me forcë (forcibly disappeared) që përbënë një terminologji jashtë konventave ndërkombëtare përmes së cilës nuk mund të kërkohet dëmshpërblimi/kompensimi, sipas Selmanaj, Kosova i ka mundësuar Serbisë që të heqë përgjegjësinë “penale, juridike e shtetërore”.

“Me dakordimin e deklaratës për të zhdukurit, Kosova i ka mundësuar Serbisë që të heqë përgjegjësinë penale juridike shtetërore për zhdukjet e dhunshme sipas nenit 2 Konventës së OKB-së. Dëmi është bërë, pasojat do të jenë fatale për ne dhe brezave që vinë”.

Teksa ka theksuar se me kohë kanë paralajmëruar veprimet e dëmshme që mund t’i sjellë marrëveshja e Ohrit për Kosovën.

“Ju kemi thënë me kohë që marrëveshja e Ohrit ka shumë cështje që që mund t’i sjellin dëme vendin, kemi ngritur shqetësimin tonë mandej edhe për preambulën e tekstit të asaj marrëveshje sidomos të përkufizimit për tejkalim të së kaluarës nënkupton pikërisht këtë që Kosova mund të futet në cikël ku të tjerët kujdesen për rishkrim të historisë me qëllim shtrëmbimi dhe tejkalim të së vërtetës dhe jo adresim të saj”.

“Ky shtrembim i së vërtetës sonë historike, do t’i sjellë pasoja fatale Republikës sonë kjo edhe ka rezultuar me deklaratën për të pagjetur të dakorduar mes Kurtit dhe Vuçiç më 2 maj 2023 në Bruksel ku relacioni mes agresorit dhe viktimës është relativizuar deri në mosdallim”.

Ai ka shtuar se “fatkeqësisht Kurti ka barazuar edhe përgjegjësitë institucionale shtetërore mes dy shteteve për zbardhjen e fatit të pagjeturëve, madje edhe për periudhat ku nuk ka ekzistuar fare shteti i Kosovës”.

Menjëherë pas takimit, Bashkimi Evropian, ka publikuar deklaratën e marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur në Kosovë.

Nga ky dokument tashmë është bërë e qartë se Kosova ka hequr dorë nga termi “persona të zhdukur me dhunë”, term që njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përmes së cilës terminologji familjarët e viktimave do të mund të kërkonin dëmshpërblim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore