Lajme

Selmanaj: Kosova është shtet laik, kushdo që e cenon këtë normë e cenon demokracinë


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj është deklaruar kundër lejimit të shamisë për vajzat e mitura në shkolla publike.

Selmanaj përmes një shkrimi ‘Facebook’ ka thënë se Kosova është shtet laik.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës:  Neni 8 [Shteti Laik] Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Kushdo që me injorancë apo qëllime tjera perfide cenon këtë normë kushtetuese, atëherë ka cenuar themelet e Demokracisë Kushtetuese të vendit tone”, ka shkruar ai.

“Konform përgjegjësive që kemi, do t’i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore”, është thënë nga MASHT-i pas reagimeve të ndryshme rreth kësaj çështje ditëve të fundit.

Një udhëzim administrativ i nxjerr nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës në vitin 2010, vendosi të ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme, në Kosovë.

Por megjithatë, MASHTI, përmes një komunikate për media ka thënë se e drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Ministria e Arsimit do të angazhohet në avancimin e sistemit arsimor dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të favorshëm dhe mbështetës për të gjithë ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe cenuar”.

Ndërsa, është thënë se aktualisht ky dikaster është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave është duke i bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor 2022/2023 të nis sipas planit të paraparë”.

Debati për lejimin e shamisë në shkolla nuk është i kufizuar në Kosovë. Shumë shtete janë në faza të ndryshme të këtij diskutimi.

Gjithsesi, për momentin, debati në Kosovë është kufizuar në rrejte sociale e studio televizive. Qeveria, përkatësisht ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që e ka në dorë largimin e nenit, ende nuk është marrë konkretisht me këtë çështje.

Udhëzimi administrativ i MASHTI-it, përcakton të drejtat, veprimet e ndaluara, masat dhe proceduarat disiplinore dhe zbatimin e tyre. Në nenin 3, pikën 1.13, thuhet se në shkollë ndalohet uniforma fetare.

Kryeministri aktual i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në deklarimet e tij, gjatë fushatës, por edhe nëpër intervista televizive, ka thënë se nuk është në favor të shamisë, por është kundër ndalimit. Ai ka thënë se çështja e bartjes së shamisë “është çështje e të drejtave elementare njerëzore”.

Prej kohës kur Kurti është bërë kryeministër, ai nuk ka thënë asgjë se cili do të jetë vendim i Qeverisë së tij në lidhje me bartjen ose jo të shamisë në institucionet shkollore.

Albanian Post edhe në dy vitet e fundit ka sjellur rrëfimet e dy vajzave të mbuluara, të cilat tregojnë për sfidat e tyre.

Shamia që mbulon mundësitë për shkollim

“Shamia mi mbulon flokët e jo trurin”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore