Lajme

Shamia që mbulon mundësitë për shkollim


Ilustrim

“Unë si vajzë me mbulesë ndihem e sfiduar në çdo hap të jetës. Aty ku një vajzë pa mbulesë kalon pa asnjë pengesë, unë e kam rrugën e shtruar me pengesa të ndryshme, por pavarësisht kësaj, unë çdo herë do të përpiqem të arrij aty ku dua”, thotë Kosovare Ramadani për Albanian Post.

Sipas saj, e drejta për shkollim duhet t’i takojë të gjithëve në mënyrë të barabartë.

Ajo shton se vajzat me mbulesa vazhdojnë të përballen me një numër të madh të paragjykimeve në Kosovë.

“Fatkeqësisht, ka ende shumë paragjykime në vendin tonë, dhe këto paragjykime nganjëherë bëhen shkak që të mos na jepet mundësia të shprehim talentet tona apo të kontribuojmë për vendin tonë. Kjo ndodhë për shkak se gjykohemi nga pamja dhe jo nga mendja”.

Deputetë nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit që vajzave nën moshën 18 vjeçare, të mos u ndalohet shkuarja në shkollë edhe nëse ato mbajnë në kokë shami, apo siç njihet ndryshe si hixhab.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, për Albanian Post ka thënë se kjo kërkesë është bërë për të pasur të drejta të barabarta në shkolla.

“Ne si komision për të drejtat e njeriut kemi marrë peticion prej anës së vajzave dhe prindërve të vajzave të cilat janë të mbuluara”.

Ajo deklaron se për këtë çështje, Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka ftuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, të raportoj.

“Ne si komision për të drejtat e njeriut nuk kemi mundësi të bëjmë gjithçka vetë, sepse është Ministria e Arsimit. Ne veç do të sqarojmë si duhet të punohet, kemi biseduar me ministren Nagavci për mundësinë që të mos shkelen të drejtat e vajzave në shkolla”, ka thënë ajo.

Balje thotë se janë dy plane, “ose duhet të lejohen vajzat me shami në kokë, në shkollë ose duhet të gjejmë një mënyrë se si të shkollohen këto vajza”.

Ndërkohë, Rinor Qehaja, Drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë se mbajtja e shamisë është e drejtë kushtetuese.

“Në këtë debat mund të ketë mendime të ndryshme, mirëpo padrejtësia nuk duhet të jetë e nxitur nga kundërshtimi, por, drejtësia duhet të prihet nga argumenti kushtetues i barazisë”, ka deklaruar Qehaja.

Por, “Komuniteti i shkollës përgjithësisht është komod dhe i vetëdijësuar për mbulesën, në fund të ditës mbulesa nuk paraqet ndonjë risi të paparë kulturore më herët”.

Ndërsa sipas tij, vajzat e mbuluara tashmë janë kthyer në grup të margjinalizuar “andaj edhe reagimi në mbrojtje të padrejtësive ndaj tyre është obligim shoqëror”, është shprehur ai.

Udhëzimi administrativ i MASHTI-it, përcakton të drejtat, veprimet e ndaluara, masat dhe proceduarat disiplinore dhe zbatimin e tyre. Në nenin 3, pikën 1.13, thuhet se në shkollë ndalohet uniforma fetare.

Javën e kaluara, çështja e shamisë është aktualizuar, pasi Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, e ka ftuar për të raportuar për këtë çështje ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Kryeministri aktual i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në deklarimet e tij, gjatë fushatës, por edhe nëpër intervista televizive, ka thënë se nuk është në favor të shamisë, por është kundër ndalimit. Ai ka thënë se çështja e bartjes së shamisë “është çështje e të drejtave elementare njerëzore”.

Prej kohës kur Kurti është bërë kryeministër, ai nuk ka thënë asgjë se cili do të jetë vendim i Qeverisë së tij në lidhje me bartjen ose jo të shamisë në institucionet shkollore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore