Lajme

“Shamia mi mbulon flokët e jo trurin”


Pas më shumë se një dekade, bartja e mbulesës për vajzat e besimit islam në shkollat publike është rikthyer si temë diskutimi në Kosovë.

Një udhëzim administrativ i nxjerr nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës në vitin 2010, vendosi të ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme, në vend.

Udhëzim ky i cili edhe në atë kohë kishte nxitur reagime të shumta, njerëzit filluan të protestonin dhe kërkesa e tyre e vetme ishte që një vendim i tillë të shfuqizohej.

Për Ardelina Halitin, një qytetare nga Prishtina, e cila e kishte vendosur mbulesën gjatë studimeve universitare, ky udhëzim është i pa pranueshëm, dhe “bie ndesh me kushtetutën”.

“Mendoj që sa më parë duhet te ndryshojë ky udhëzim administrativ sepse bindja personale nuk ka të bëjë asgjë me arsimimin dhe pasi qe me kushtetutën e Kosovës lejohet që një njeri ta praktikojë fenë e tij madje ta shfaq atë, atëherë ky udhëzim bie ndesh me vetë kushtetutën”.

Sipas saj, “për asgjë në botë nuk duhet të vihet në pikëpyetje arsimi i një individi e aq më pak për mbulesën e cila vetëm formalisht mbulon flokët e një femre e asesi trurin, i cili nevojitet realisht”.

“Unë e respektoj faktin qe shkollat duhet të kenë një kod të veshjes i cili duhet patjetër të jetë modest e mbulesa mund të përshtatet në çfarëdo veshje modeste”, thotë Haliti për Albanian Post.

Ardeline Haliti

“Në anën tjetër bëhet pengesë e vajzave me mbulesë ta vazhdojnë shkollimin në mënyrë të rregullt por asesi që ato ta ndalojnë atë, madje në të gjitha mënyrat thurin suksese sepse asgjë nuk mund ta ndryshon bindjen ndaj Zotit me çfarëdo kërcënimi qe vije”.

Haliti e cila ka lindur në një familje tradicionale islame, ku më të vjetrit e kanë falur namazin ndërsa të rinjtë kanë vendosur vetë se çfarë duan të bëjnë, thotë se që e re ka treguar interesim.

“Unë që e re kam shfaqur interesim për ritualet e fesë islame dhe i kam praktikuar ndonjëherë, mirëpo duke u rritur e kupton qëllimin tënd në këtë jetë dhe përcaktohesh se si dëshiron ta jetosh atë, kështu që në moshën madhore kam filluar praktikimin e namazit agjërimin, leximit rreth fesë islame dhe kështu erdhi edhe bindja që ta marr edhe hapin për ta vendosur mbulesën”.

Vendimin për t’u mbuluar të cilin e ka marrë në moshën 20 vjeçare, ajo e cilëson si gjënë më të mirë që ka bërë në jetë.

“Shamia për mua do të thotë respektim i urdhrit të Zotit, pastaj modesti, respekt i vetvetes, petk i devotshmërisë qe sado të lëkundem nga jeta dinamike mbulesa është ajo që më kthen te qëllimi i jetës; pra, përkujtim i Zotit si për vete ashtu edhe për të tjerët qe më shohin”.

Për sa i përket zërave që thonë se shamia është më shumë një shenjë e nënshtrimit të femrës ndaj mashkullit, sesa një zgjedhje, Haliti mendon krejt ndryshe.

“Është shtypje nga vetë njerëzit injorantë qe nuk e lejojnë diversitetin në shoqëri duke mos na lejuar shkollim dhe punësim dhe me këtë gjë synojnë te bëhen pjesë e Evropës dhe të fitojnë pëlqimin e Amerikës, ndërsa vendet e këtyre dyjave qe moti i kanë kthyer këto barriera dhe mbulesa nuk përben asnjë problem e asnjë pengesë. Ndërsa unë personalisht në aspekte tjera nuk ndihem aspak e shtypur e jetoj jetën e shijon mirësitë e saj, dal shëtis, argëtohem, ajo që me dallon është që nuk ndjek standardet e askujt në veshjen time, sepse unë vendosi për vetëm time se çfarë të zbuloj”, është shprehur ajo.

Debati për lejimin e shamisë në shkolla nuk është i kufizuar në Kosovë. Shumë shtete janë në faza të ndryshme të këtij diskutimi.

Gjithsesi, për momentin, debati në Kosovë është kufizuar në rrejte sociale e studio televizive. Qeveria, përkatësisht ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që e ka në dorë largimin e nenit, ende nuk është marrë konkretisht me këtë çështje.

Albanian Post edhe para një viti kishte sjellur rrëfimin e  Kosovare Ramadanit, e cila tregonte për sfidat e saj si vajzë e mbuluar në Kosovë.

Shamia që mbulon mundësitë për shkollim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore