Lajme

Sekuestrohen armë e pajisje ushtarake në Merdar


Foto nga Dogana e Kosovës.

Dy raste të kontrabandës së armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake në Merdar janë parandaluar nga Dogana e Kosovës.

Përmes një komunikate për media nga dogana është thënë se gjatë javës së kaluar zyrtarët kanë aplikuar kontrollimet me skenar.

“Zyrtarët kanë arritur të zbulojnë rastet falë shënjestrimit profesional të hapësirave të autobusëve që kanë ardhur njëri nga Austria dhe tjetri nga Italia. Në të dyja rastet zyrtarët kanë aplikuar kontrollet me skaner ku edhe janë identifikuar armët në mënyrë profesionale”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Teksa, është paralajmëruar se rastet e tilla do të vazhdojnë të parandalohen.

“Tani që frekuentimi i vendkalimeve kufitare është shumë i lartë, zyrtarët doganor janë vënë në shërbim të qytetarëve tanë nga diaspora dhe njëherit janë të përkushtuar të zbatojnë kontrolla të shënjestruara, për të parandaluar keqpërdorimet e ngarkesës në vendkalime nga persona të prirë në kriminalitet”, thuhet tutje në njoftim.

Dogana e Kosovës ka theksuar se ky është bilanci që synon të mirëmbajë gjatë zbatimit të misionit të saj- kalim të lehtësuar por të sigurt të kufirit shtetërorë.

Edhe më 12 shtator Policia e Kosovës, kishte bërë të ditur se në dy raste të ndara më 11 shtator ka zbuluar mallra kontrabandë në afërsi të brezit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, rasti i parë ka ndodhur në brezin kufitar Serbi-Kosovë, përkatësisht në zonën e Kamenicës ishte ndaluar një automjet me targa të Kosovës.

Kurse, rasti i dytë kishte ndodhur në rrugën Stublinë-Dobërqan të Gjilanit, ku Policia kishte tentuar që të ndalojë një automjet me targa serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore