Përballje

Salernitana e shtynë festën e Napolit.


Të gjithë ishin të përgatitur për ta festuar titullin kampion në Napoli, por duhet të presin të paktën edhe një javë.

Napoli nuk arriti përtej një barazimi me rezultat 1:1 ndaj Salernitana-s në shtëpi, kështu duke e shtyrë festën e titullit kampion që po e presin që plotë 33 vjet.

Ndonëse kërkuan me ngulm që ndeshjen me Salernitana-n ta luanin pas asaj mes Inter-it dhe Lazio-s, të besuarit e Spallettit nuk shfrytëzuan dot asistimin e Inter-it, pasi nuk shkuan dot përtej barazimit, duke lënë të hapur garën për titullin, ndonëse vetëm matematikisht.

Mbrojtësi Oliveira kaloi në avantazh skuadrën e Spalletti-t në minutën e 62-të, por kur të gjithë po përgatiteshin për festë, ishte Dia që shënoi golin e barazimit për Salernitana-n, duke e shtyrë atë të paktën deri në ndeshjen e radhës.

Napoli kryeson kampionatin me 79 pikë, 18 më shumë se Lazio e vendit të dytë dhe zyrtarisht ka nevojë vetëm për një pikë, që të shpallet kampione e Italisë për herë të tretë në histori, pas sezoneve 1986-1987 dhe 1989-1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore