Përballje

Rusia mposht Finlandën, arkëton pikët e para në “Euro 2020”


Rusia ka arritur fitoren e parë në Kampionatin Evropian, “Euro 2020”, duke e mposhtur Finlandën me rezultat minimal 0:1.

Finlandezët arritën të shënojnë të parët, qysh në minutën e katërt, mirëpo goli u anulua nga sistemi VAR, për një pozicion të parregullt të sulmuesit Joel Pohjanpalo.

Rusia shtoi presionin dhe golin arriti ta gjejë në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, përmes sulmuesit të Atalanta-s, Aleksey Miranchuk, i cili shënoi një gol të bukur, pas disa kombinimeve të sakta nga ana e rusëve.

Në vazhdim të ndeshjes, Rusia luajti e mobilizuar në mbrojtje, duke i lënë pak hapësira kundërshtarit, me çka dhe fitoi në fund takimin.

Rusët në këtë përballje, kanë humbur futbollistin Mario Fernandes, i cili pësoi një lëndim, gjatë një dueli ajror, për çka u desh të ndërhynte menjëherë stafi mjekësor, duke e dërguar futbollistin në spital.

Tani Rusia gjendet në vendin e dytë të Grupit B, ku së bashku me Belgjikën dhe Finlandën kanë nga tri pikë, ndërsa Danimarka pozicionohet e fundit me asnjë pikë.

Ndeshja tjetër e këtij grupi, mes Danimarkës dhe Belgjikës, do të zhvillohet të enjten, në ora 18:00.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore