Bota

Rusia mbyll ‘Qiej të Hapur’


Rusia ka nisur procedurën për tërheqje nga Traktati ndërkombëtar  ‘Qiej të Hapur’.

Ky largim vjen pas daljes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga ky traktat me 22 nëntor 2020.

Marrëveshja lejon fluturime për mbikëqyrje ajrore në mbi dhjetëra shtete pjesëmarrëse.

“Tërheqja e SHBA-së e ka prishur ndjeshëm balancën e interesave të shteteve nënshkruese. Propozimet e Rusisë për ta mbajtur gjallë marrëveshjen janë injoruar nga aleatët në Washington”, tha në deklaratë Ministria e Jashtme ruse.

Gjithashtu brenda deklaratës thuhet se Ministria e Jashtme ka të drejtë të njoftojë fillimin e procedurave të brendshme për tërheqje nga Traktati.

“Kjo tërheqje vjen në rast se ka mungesë përparimi në përpjekjet për të hequr pengesat që parandalojnë funksionimin e Traktatit  në situatën e re”.

Rusia kishte hyrë në bisedime me 33 anëtarët e tjerë pas tërheqjes së SHBA-së.

“Rusia kërkonte që anëtarët e tjerë të NATO-s (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut) të mos e ndanin me vendet e tjera informacionin e marrë për fluturimet e mbikëqyrjes ruse me SHBA-në. Kjo kërkesë nuk gjeti mbështetje ”, shtoi ministria.

Tërheqja e SHBA-së

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr zyrtarisht nga Traktati më 22 nëntor.

“Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Rusinë, por Rusia nuk e respekton këtë Traktat. Ne do të tërhiqemi nga ky Traktat derisa Rusia t’i përmbushë përgjegjësitë e saj, por kjo është një mundësi shumë e mirë për të bërë një traktat të ri ose për të rishikuar këtë Traktat”, është shprehur Presidenti në largim, Donald Trump.

Në atë kohë, Moska e ka dënuar vendimin duke thënë se është i dëmshëm për sigurinë e Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Qëllimi Traktatit

Traktati ‘Qiej të Hapur’ është nënshkruar në vitin 1992 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2002.

Ai lejon 34 anëtarët e tij të kryejnë fluturime të paarmatosura vëzhguese mbi territoret e njëri-tjetrit. Gjithashtu mbledh të dhëna për forcat ushtarake dhe aktivitetet.

Rusia dhe SHBA-ja janë dy  ndër 34 shtetet nënshkruese të Traktatit.

Kjo marrëveshje ka si qëllim nxitjen e transparencës në veprimet ushtarake. Lehtëson  kontrollin e armëve dhe monitorimin e traktateve të tjera.

Gjithashtu, Traktati ‘Qiejt e Hapur’ shikohet si një masë për rritjen e besimit dhe sigurisë në hapësirën gjeografike të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore