Lajme

“Rrugët njëkahëshe nuk janë zgjedhje e kolonave” – flasin ekspertë të komunikacionit për Albanian Post


Testimi i rrugëve njëkahëshe në Prishtinë.

“Ridefinimi i qendrës së qytetit” është njëri ndër projektet kryesore që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nxjerrë në programin e tij.

Me këtë projekt, ai parasheh që qendër e Prishtinës të bëhet e gjithë hapësira brenda unazës së brendshme të qytetit.

Rama, më 23 prill dhe 24 prill testoi unazën njëkahëshe në Prishtinë, mirëpo jo gjithçka përfundoi me sukses pasi janë krijuar kolona të gjata të veturave në hyrje-dalje të kryeqytetit.

Dështim të këtij projekti vetëm si provë po e konsiderojnë edhe ekspertët e komunikacionit.

“Për mendimin tim në rast se zgjidhja është e ngjashme atëherë nuk ka nevojë që rruga të bëhet njëkahje për arsyje që ai segment i cili përshkruhet i komplet unazës e vështirëson më shumë sesa rruga normale”, pohon Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.

Sipas Ahmetit, një zgjidhje e tillë do të ishte e duhur në rast se rrethanat do të ishin më ndryshe.

“E vështirëson pasi që dihet se duhet të lëvizet padashje nga një pozicion në pozicionin tjetër po nëqofse është më profitabile edhe më e mirë edhe distanca është më e shkurtër edhe dendësia në komunikacion zbutet atëherë ka vend që me u kriju kjo unazë”.

Mirëpo, shton se situata aktuale duhet të vazhdoj të analizohet.

“Ka mbet të shihet nëse do të funksionoj apo jo tash do të bëhen analizat edhe i gjendjes paraprake me aktualen dhe si rezultat i kësaj do të tërhiqen dy paralelet dhe do të shihen cila është zgjidhja më e mirë”.

Edhe njohësi i komunikacionit, Visar Baxhaku, në bisedë për Albanian Post nuk i konsideron si zgjidhje të duhur rrugët njëkahëshe.

“Testimi ka qenë i ngutshëm dhe nuk do të funksionojë, e them me bindje të plotë sepse rrugët njëkahëshe nuk janë më zgjidhje të kolonave. Ato janë zgjidhje të qasjeve dhe orientimeve. Kolonat i zgjidh vetëm diversifikimi i llojit të transportit”, thotë Baxhaku për AP.

Testimi i rrugëve njëkahëshe në Prishtinë.

Sipas tij, edhe eksperimente të tilla me kryeqytetin duhet të bëhen kur jemi të sigurt për rezultatet.

“Eksperimenti bëhet kur jemi të bindur për rezultat me 80 për qind dhe gjenden mangësitë e përmirësohen ato, por jo në këtë formë”.

Baxhaku, konsideron se janë dy zgjidhje të tjera që mund të e zgjedhin problemin e kolonave në Prishtinë.

“Komuna duhet t’i motivojë qytetarët për të përdorur transportin publik, duke e bërë falas atë, e dyta është mjetet që hyjnë në Prishtinë, parkingun jashtë kryeqytetit e transportit falas, duhet të ketë tarifa të larta të parkimit, disa prej masave janë këto”.

Edhe ish kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë të ditur se ka hapa që do të marrin akoma kohë për realizimin e këtij projekti.

“Kanë mbet edhe këto hapa të cilat marrin shumë kohë.  Por fokusi i Komunës dhe Ministrisë duhet të jetë në shpronësim i cili mund ta vonojë projektin”.

“Draft Dizajni final, 120 dite diskutim publik, dizajni final, aprovimi i kredise – bordi i Berzhit, ratifikimi i marreveshjes ne Kuvendin e Kosoves, plani i shpronesimit sipas rregullave te Berzhit, tenderimi sipas rregullave te Berzhit, disbursimi, ndërtimi”.

Komuna e Prishtinës.

Këtë vendim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, e ka kritikuar ish-kandidati për të parin e kryeqytetit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovoës, Besnik Tahiri, tani deputet i kësaj partie.

“Të tilla testime, kur nuk janë të mirëmenduara e planifikuara rrezikojnë legjitimitetin e veprimeve të ardhshme për Mobilitetin Urban. Edhe pse qëllimi i deklaruar, del të jetë ambiental, tollovia e shkaktuar nuk i shërben kësaj”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

“Aq më tepër, kur rritja e qëndrimit në rrugë (kolona) rrit ndjeshëm ndotjen, e dihet se një ditë e zakonshme gjatë vikendit, bllokada dhe frekuenca është ndjeshëm më e ulët”.

Ai ka kërkuar nga që veprim të anulohet menjëherë nga Rama, “në mënyrë që t’u hapet rrugë veprimeve të planifikuara mirë”.

Të premten e 22 prillit, është nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Mjedisit për unazën e mesme të kryeqytetit.

Sipas institucionet, kjo do t’i hapë rrugët e zhbllokimit të trafikut në Prishtinë.

Ministri i këtij dikasteri, Liburn Aliu, deklaroi se trafiku në Prishtinë është i ngarkuar dhe është ndër sfidat më të mëdha.

“Meqenëse e ka planin e qëndrueshëm të mobilitetit, ai kërkon aplikim të shpejtë dhe radikal nëse dëshirojmë që qyteti të lirohet”, ka thënë Aliu në një konferencë për media.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht është duke u zhvilluar faza e përgatitjes së implementimit të projektit.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar jetik këtë projekt.

Sipas tij, projekti do të jetë në përfundim e sipër në fund të vitit e “sipas të gjitha gjasave do të fillojë vitin e ardhshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore