Lajme

“Rritja ekonomike për 2021 do të jetë 8%, qëndrimet për Ujmanin mbeten të njëjta”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria do të miratojë një pako të re për të ndihmuar ekonominë e vendit pas sfidës me përballjen me pandeminë COVID-19.

Ai, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas mbledhjes së qeverisë, në një konferencë për media ka njoftuar se parashikimet janë që për vitin 2021 të ketë rritje ekonomike për afër tetë për qind.

“Aktiviteti ekonomik është rritur për 15 për qind. Projeksionet janë që rritja ekonomike për këtë vit të jetë 7.9 për qind, që është dukshëm më e lartë nga 5.2 për qind që parashihej në fillim të vitit”, ka thënë Kurti.

Sa u përket qëndrimeve të tij në lidhje me Liqenin e Ujmanit, ai ka thënë se ato mbeten të njëjta.

“Qëndrimet tona sa i përket Liqenit të Ujmanit janë të njëjta dhe natyrisht që duhet bërë analiza e studime, por detyra jonë thotë që duhet ta konsiderojmë këtë liqen ashtu siç është, Liqen artificial i Kosovës nga Kosova”, është shprehur Kurti.

Në anën tjetër, në lidhje me marrëveshjen e Washington-it, ai pohoi se kjo marrëveshje ka pasur vetëm një pikë të vlefshme të saj, e cila është pika e fundit – njohja reciproke midis Kosovës dhe Izraelit.

“Qysh në fillim e kam thënë se pika e saj më e vlefshme, e dobishme është ajo e fundit që tashmë është realizuar, por nuk mund të flasim, thuajse nuk ka ndodhur 14 shkurti, 22 marsi, 4 prilli, thuajse kjo nuk ishte mbledhje e Qeverisë për të parë punën e 100-ditëshit të saj”.

“Ndryshimi në Kosovë është gjigant dhe këtë nuk e bëmë ne, jemi vetëm përfaqësues i këtij ndryshimi, të cilin e bëri populli i Kosovës”, shtoi ai.

Sa u përket cilësimeve, që mund të vijnë nga Beogradi qoftë personalisht apo si shtet, kryeministri Kurti ka theksuar se “ata janë përpjekur të na definojnë edhe si individ, edhe si kolektivitet, edhe si vend, edhe në shekullin e kaluar, edhe sot e kësaj dite, por kanë dështuar rregullisht”.

Se kur do të ketë marrëveshje me njohje të ndërsjellë që për bindjen e Kurtit nuk ka alternativë, ai thotë se “nuk varet nga ne, por nga Serbia”.

“Besoj që duhet të kemi një konsensus nacional se duhet ta forcojmë shtetin e Kosovës, e cila sigurisht që e forcon çdo raport të Kosovës me të gjithë të tjerët. Ndryshimi i të kaluarës është i pamundur”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore