Lajme

Rritja ekonomike, LDK: Qeverisë i duhen 80 vjet për të arritur mesataren e BE-së


Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka prezantuar, sipas tyre, disa fakte të cilat shkërmoqin propagandën e Qeverisë aktuale të Kosovës në raport me rritjen ekonomike në vend.

Rritje mesatare ekonomike, sipas LDK-së, është 3.6 për qind, e jo 6.2 për qind siç po e prezanton kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Hilja këtu sipas LDK-së është që Qeveria po llogaritë edhe rritjen ekonomike në vitin post-pandemik – pra rritjen krahasuar me vitin e mbylljes totale.

“Pa vitin pandemik dhe atë post pandemik, ekonomia e Kosovës është rritur mesatarisht për vetëm 3.6 për qind në vit. Në 10 vitet paraprake, rritja mesatare vjetore ishte 4.7 për qind”.

E arsyeja e një rritjeje minimal sipas LDK-së janë investimet e vogla kapitale.

“Mungesa e investimeve kapitale qendrore (vetëm 11 për qind e buxhetit, rekord i ulët historik) e shpërndarja e plot 811 milionë eurove si ndihmë pa efekt, janë arsyet e një rritje kaq të ulët ekonomike”.

Me trendin e kësaj Qeverie, vlerëson LDK, Kosovës i duhen 40 vjet për të arritur Kroacinë e plot 80 vjet mesataren e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore