Shqipëria

Roth: T’i lëmë bllokimet, të mendojmë në mënyrë strategjike


“Ju lutem, zgjidhini çështjet bilaterale në mënyrë bilaterale dhe mos bllokoni gjithë Evropën të ecë përpara”.

Është ky mesazhi i ministrit gjerman të Shtetit për Evropën, Michael Roth, ndërkohë që po mbahet mbledhja e Këshillit të Çështjeve të përgjithshme.

Ministri gjerman, i ka bërë kështu thirrje Bullgarisë, që të zhbllokojë Maqedoninë e Veriut nga vetoja.

“Të mendojmë në mënyrë strategjike dhe të kuptojmë se duhet të përmbushin detyrimet tona ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tani”, shkruan Roth në Twitter.

Sipas tij, nuk ka vend në këtë çështje, për të lënë një vakum strategjik.

Mbledhja e Çështjeve të Përgjithshme e Këshillit të Evropës, pritet të vendosë sot mbi fatet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave.

Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet. Kjo, është theksuar unanimisht edhe nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Por, është ngërçi Bullgari-Maqedoni e Veriut, ai i cili penalizon shqiptarët në këtë proces.

Rruga e Shqipërisë drejt integrimit, shihet si e lidhur ngushtësisht me atë të Maqedonisë së Veriut. Ndaj, një veto bullgare ndaj maqedonasve, nënkupton edhe një veto bullgare ndaj Shqipërisë.

Pavarësisht kësaj, ministra të shumtë të BE-së, i kanë bërë thirrje Bullgarisë për t’i lënë mënjanë çështjet dypalëshe.

Vendimi në fund të ditës, mbetet në dorë të Këshillit, mbi çeljen ose jo të negociatave.

Inkurajim mbi këtë çështje ka dhënë edhe Isabel Santos, raportuesja evropiane për Shqipërinë.

“Çast i rëndësishëm për Shqipërinë. Rruga drejt negociatave duhet të pasqyrojë progresin e bërë nga shteti ballkanik”, shkruan ajo.

Këtu, Santos i referohet edhe fjalës së Ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca. Ky i fundit, ka deklaruar se “si kurrë më parë, unioni është unanim në qëndrimin pro hapjes së negociatave me Shqipërinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore