Shqipëria

Soreca: Hera e parë që të gjitha vendet anëtare mbështesin Shqipërinë


Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka deklaruar se është lajm i mirë që për herë të parë, të gjitha vendet anëtare, përfshirë vendet që kishin qenë skeptikë në të kaluarën, të tilla si Holanda, Spanja dhe Danimarka, e mbështesin Shqipërinë.

Ai shtoi se Shqipëria i “ka përmbushur të gjitha kushtet”, por në rast se nuk ndahet nga Maqedonia e Veriut nuk duhet të humbasë më tej me negociatat.

“Nesër është një ditë e rëndësishme. Këshilli do të diskutojë propozimin e Presidencës dhe të Komisionit Evropian për të hapur Konferencën Ndërqeveritare (IGC) për të dyja vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Të dyja vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga Këshilli vitin e kaluar në mars 2020”, nënvizoi Soreca.

Sipas tij, ekziston një synim i qartë i vendeve anëtare për t’i afruar të dy vendet me unionin, sepse dimensioni rajonal i zgjerimit është shumë i rëndësishëm.

Soreca ka vlerësuar sistemin shqiptar duke e konsideruar si “të përfunduar” pjesën e saj. Ambasadori i BE-së kujtoi se është e domosdoshme që të përshpejtohen procedurat.

“Do të ketë një Samit shumë të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor në fillim të tetorit në Slloveni. Do të ishte shumë e rëndësishme të shkonim në këtë samit me lajme të mira”, theksoi Soreca.

Sipas ambasadorit të BE-së, ndarja e ofertave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është e mundshme. Kjo, pasi BE-ja dhe vendet anëtare duan t’i shohin të dyja vendet që të ecin përpara, por ai shtoi se zgjerimi “bazohet në merita”.

Më herët, Luigi Soreca, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, ka theksuar se rruga nëpër të cilën Shqipëria duhet të shkojë drejt BE-së, kalon nga zhvillimi i Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Mendoj se Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq pranë këtij çasti. Jam me shpresë se vendet anëtare do të vendosin në qershor për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut për të vazhduar së bashku”, tha ambasadori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore