Shqipëria

“Rojet e plazhit dhe vendosja e bovave, problematikat kryesore të sezonit turistik”


Për këtë sezon turistik, vijon të mbetet problematike numri i rojeve të plazhit dhe vendosja e bovave që përcakton zonat ku notohet, sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Të shtunën e 19 qershorit, në qytetin e Pogradecit, Klosi ka zhvilluar një takim me Task-Forcën e  Turizmit.

Gjithashtu, nivelin e shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve pritëse, i ka cilësuar si “sfidë kryesore”, të cilat sipas tij duhet të trefishohen për përballimin e fluksit të turistëve.

Gjatë fjalës së tij, Klosi u kërkoj autoriteteve përgjegjëse për qytetin e Pogradecit, që ta drejtojnë vëmendjen e tyre më tepër drejt trashëgimisë kulturore dhe historike.

Të cilat. sipas ministrit të Turizmit, duhet të shndërrohen në destinacione turistike.

Ndër të tjera, e ka cilësuar Pogradecin si “një histori suksesi”, pasi “ka përfunduar pastrimi i bregut dhe janë ndarë zonat e plazhit”.

Ndërsa nga qyteti i Beratit, ku hapi zyrtarisht sezonin turistik një ditë më parë, Klosi u shpreh se pastrimi është kryefjala e sezonit turistik.

“Është shumë e rëndësishme që në këtë prag sezoni turistik, çdo qytet i qarkut të Beratit të jetë i pastër dhe i sistemuar nga pikëpamja vizive”.

Sezoni turistik ‘Covid Free”

Më 18 maj ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, së bashku me Klosin, kanë deklaruar se brenda muajit maj do të përfundonte vaksinimi i punonjësve turistikë.

Ndër të tjera, ministrja e Shëndetësisë u shpreh se “vaksinimi është i rëndësishëm për të garantuar një sezon turistik më të lehtësuar, por zbatimi i protokolleve kundër Covid duhet të respektohet”.

Gjatë takimit Klosi u shpreh se këtë vit do të kemi një sezon “covid free”.

Ministri Klosi, në fjalën e tij, theksoi se ndotësit e mëdhenj duhet të jenë në një presion civil dhe legal. Ai shtoi se ata duhet të jenë pjesë e një kontrolli të krimit mjedisor.

Sipas tij, krimi mjedisor është krim penal. Klosi u shpreh se ruajta e sigurisë dhe pastërtia janë objektivat më të rëndësishëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore