Lajme

Rod Stewart zbulon: Kam refuzuar 1 milion dollarë, nuk do të jem në Katar


Këngëtari dhe kompozitori britanik, Rod Stewart, i konsideruar shpesh si mik i komunitetit LGBTQ+ nuk ka pranuar të marr pjesë në ceremoninë inauguruese të Kupës së Botës në Katar edhe pse i është ofruar një shumë prej mbi 1 milion dollarësh.

Kjo, për shkak se komuniteti LGBTQ+ kundërshtohet dhunshëm në vendin pritës të kupës së botës.

“Pesëmbëdhjetë muaj më parë më ofruan shumë para, mbi një milion dollarë, për të performuar në Katar, por unë refuzova, sepse nuk ishte e drejtë të shkoja atje”, tha ai në një intervistë për median “Sunday Times”.

Ai gjithashtu citoi se, po të ishte në dorën e tij, në ceremoninë inauguruese të Kupës së Botës në Katar do të kishte luajtur “The Killing of Georgie”.

Kjo, këngë e tij e vitit 1976 që tregon vrasjen e një miku të tij homoseksual.

Por më 20 nëntor, Rod Stewart nuk do të jetë në stadiumin Al Bayt dhe asnjë figurë në botë nuk do ta kishte bindur atë të ngjitej në atë skenë.

“Mendoj se edhe tifozët që do të ndjekin ndeshjet në Katar do të duhet të jenë të kujdesshëm”, nënvizoi Rod, duke njoftuar se do të mbështesë Brazilin gjatë këtij rrugëtimi.

Ai shtoi gjithashtu se, iranianët duhet të lihen jashtë turneut kjo duke iu referuar ndihmës ushtarake që i kanë dhënë Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa gjithashtu refuzoi pjesëmarrjen në ceremoninë inauguruese.

“Nuk do të performoj dhe nuk kam qenë kurrë e përfshirë në ndonjë negociatë për të performuar”, u tha në mesazhin drejtuar fansave.

Duke folur për ceremoninë e hapjes së evenimentit të futbollit botëror, për momentin i vetmi emër i konfirmuar është ai i Jung Kook, një prej anëtarëve të BTS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore