Sport

Risitë nuk kanë fund në Superiore, pas emrit të ri pritet edhe VAR-i


Abissnet Superiore, siç do të quhet nga sot (e premte) dhe në vijim për tre sezone, elita më e lartë e futbollit në Shqipëri, do të ketë edhe një tjetër risi këtë sezon, përdorimin e sistemit VAR.

Përdorimi i sistemit VAR e fut Shqipërinë në listën e shumë vendeve Evropiane dhe jo vetëm, që përdorin një sistem të tillë që i vjen në ndihmë arbitrit kryesor në disa raste decizive përgjatë lojës.

Për të gjithë ata që nuk dinë shumë rreth përdorimit të sistemit VAR, ai përdoret nga gjyqtari kryesor në katër raste specifike, kur kemi të bëjmë me një rast: gol ose jo gol, pozicion jashtë loje, karton të kuq dhe penallti ose jo penallti.

Sipas burimeve të Albanian Post pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), në Abissnet Superiore janë certifikuar shtatë arbitra dhe shtatë asistentë për të drejtuar ndeshjet ku do të përdoret VAR-i.

Gjithashtu, përsa i përketë stadiumeve, pothuajse të gjithë stadiumet e Superiores e ofrojnë mundësin e vendosjes së kamerave, me përjashtim të stadiumit “Laçi”, për shkak të hapësirës së pakët që ka pas porte, por që sipas burimeve pranë FSHF është një situatë që zgjidhet shpejt.

Transmetuesi televiziv që ka të drejtën e ndeshjeve të Superiores do të vendosë gjashtë deri në shtatë kamera për ndeshje, në mënyrë që pamjet që do të shkojnë në VAR të jenë sa më të qarta.

Tifozët në stadiume nuk do e kenë ende mundësinë për ta parë rastin ku do të përdoret VAR, për shkak të kostos së lartë që ka vendosja e televizorëve që mund të ofrojnë pamjet direkte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore