Lojëra

Riot Games do të paguajë 100 milionë dollarë për diskriminimin gjinor në kompani


Kompania Riot Games ka rënë dakord të paguajë 100 milionë dollarë për të zgjidhur një rast të diskriminimit gjinor të vitit 2018.

Departamenti i Punësimit dhe Strehimit të Drejtë të Kalifornisë (DFEH) ka thënë se marrëveshja “do të korrigjojë shkeljet kundër 1 mijë e 65 punonjëseve dhe 1 mijë e 300 punonjëseve me kontratë”.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se DFEH-ja ka bërë me dije se u angazhua në çështjet e “diskriminimit dhe ngacmimit sistematik”.

Madje, ka pohuar se duhet “të marrë përgjegjësinë për të kaluarën”.

Ajo pritet të paguajë 80 milionë dollarë për anëtarët e padisë së grupit dhe rreth 20 milionë dollarë do të mbulojnë shpenzimet ligjore.

Sipas ankesës origjinale kundër kompanisë, Riot-i u përball me një sërë akuzash.

Këto përfshinin gratë që ishin objektivizuar seksualisht, me një zinxhir email-esh që vlerësonin “punonjëset më të nxehta” të kompanisë.

Gjithashtu kishte dhe akuza mbi imazhe të pakërkuara të organeve gjenitale mashkullore që u ishin treguar atyre nga shefat dhe kolegët.

Problemi i industrisë

Riot-i, si pjesë e marrëveshjes ra dakord për reformat në vendin e punës, analizën e ekspertëve të pavarur të praktikave të pagave, punësimit dhe promovimit.

Por edhe mbi monitorimin e rasteve të ngacmimeve seksuale dhe “hakmarrjes” në zyrat e veta në Kaliforni për tre vjet.

Kompania gjithashtu duhet të ndajë 18 milionë dollarë për të financuar programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes dhe të krijojë 40 pozicione me kohë të plotë në role inxhinierike për ish-punonjëset me kontratë.

Kevin Kish, drejtori i DFEH-së, ka thënë se nëse pranohet nga gjykata, marrëveshja do të çonte në ndryshime të qëndrueshme në Riot Games.

Ndërkaq, “do të dërgonte mesazhin se të gjitha industritë në Kaliforni, përfshirë industrinë e lojërave, duhet të ofrojnë paga të barabarta dhe vende pune pa diskriminim dhe ngacmim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore