Lajme

Rilindja Kombëtare i parapriu Lidhjes Shqiptare të Prizrenit


Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është një prej ngjarjeve më të mëdha, më të rëndësishme, dhe më monumentale në të gjithë historinë e popullit shqiptar. Që në embrion të saj kishte arritur të formojë themelet politike, territoriale e administrative të shtetit të parë, autonom, kombëtar shqiptar të shtrirë në të gjithë hapësirën etnogjeografike dhe etnolinguistike.

Nga viti 1878 deri më 1881, Lidhja Shqiptare kishte arritur të formojë të gjitha lidhjet e institucioneve administrative, juridike dhe arsimore të cilat kishin filluar të funksionojnë nëpër vilajetet shqiptare, diku më shumë e diku më pak, paralelisht administratës osmane të cilat gradualisht u mënjanuan nga organet e Lidhjes.

Historiografia shqiptare por edhe ajo ndërkombëtare 10 qershorin e vitit 1878 e njeh si datë të themelimit të Lidhjes Qendrore Shqiptare të Prizrenit.

Kur sot po shënohet në Prizren 143 vjetori i themelimit të Lidhjes së Prizrenit, Albanian Post ka realizuar një intervistë me historianin dhe njëherit Ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa lidhur me peshën historike dhe politike të kësaj Lëvizje.

Dr. Ylber Hysa – Historian

Ai ka thënë se kjo Lidhje është përpjekja e parë drejt formësimit të identitetit shqiptar.

“Lidhja e Prizrenit shënon përpjekjen e parë politike serioze të vetëdijësimit kombëtar, që përmes një platforme politike të përpiqet që të formësojë interesin shqiptar në një udhëkryq historik, në vorbullën e përthyerjeve gjeopolitike që patën pasoja të gjata historike…”.

Por këtë aktivitet të Lidhjes, Hysa e quan si të vonuar, mirëpo mëdyshjet ishin të mëdha për atë se si të veprohet.

“Por, një përpjekje e tillë ishte mjaft e vonuar, krahasuar me tjerët përreth dhe qartazi e cytur nga përpjekjet kërcënuese të të tjerëve në fqinjësi dhe sponsoruesve të tyre më të mëdhenj”.

Vonesa dhe dilemat i zunë shqiptarët pa aleatë.

“Por, dilema e atëhershme ishte të ruash autonominë për të mos u copëtuar duke pranuar sovranitet ekzistues, apo me neutralitetin e vonesat që pastaj kushtojnë, apo për të shpjerë përpara pa dilemë projektin vetanak nacional- ishte dilema që i zuri shqiptarët në Luftëra Ballkanike dhe më vonë edhe në Luftën e Madhe pa aleat dhe tjerët në anën e fituesve”, është shprehur ai.

Këto nuk ishin dilemat e vetme të Lëvizjes Shqiptare të Prizrenit. Njëra ndër dilemat ishte edhe përkrahja e ndonjë fuqie të jashtme për të dërguar projektin tutje.

“Dilema tjetër ishte sponsori i jashtëm, të cilin të tjerët për rreth tash më e kishin prapa vetes dhe që u kishte ndihmuar që të ndërtojnë nukleuse të  shteteve kombëtare me institucionet që nga Akademia e deri te Armata. Kështu që, në shek. XIX-të tjerët për njëherë ishin në pozicion favorizes në garën për të shtyrë projektet e tyre nacionaliste e irridentiste”, ka thënë ai.

E vetmja mbështetje e shqiptarëve ishte tek ndonjë superfuqi meqë ata nuk kishin ‘farefis’ përreth tyre.

“Shqiptarët, të rrethuar me të tjerët më në numër, pa kushëri etnik, prore janë detyruar të mbështeten në të qenurit pranë superfuqive të kohës (nga jashtë  rajonit), dhe sado që mund të kenë qenë të privilegjuar në këtë çështje, kanë paguar pastaj dhe çmime politike e historike nga zbërthimet e kohës. Dilema se kush është aleati i jashtëm mbeti peng i gjatë i debateve me pasoja dhe çmime historike. Tjerët, pasi që arritën qëllimet e tyre maksimaliste, irridentiste apo kolonialiste zbuluan konceptin pajtues neutral “Ballkani ballkanasve”, për të konzervuar armëpushimin pas fitoreve të tyre”, është shprehur ai.

Elita kombëtare shqiptare krahasuar me fqinjët vepronte jashtë vendit.

“Dallimi tjetër i projektit nacional shqiptarë me fqinjët kështu dallonte edhe për nga elita kombëtare- përderisa ajo e fqinjëve ishte brenda shtetit dhe kishte mundësi veprimi aty, ajo shqiptare ishte kryesisht jashtë vendit ose në diasporë. Kështu që, Lidhja e Prizrenit shënon një memorie për një përpjekje të qenurit  bashkë, të ri-konceptimit të të qenurit shqiptarë dhe rimendimit për identitetin etnik por, edhe atij gjeopolitik”.

Historiani Hysa vlerëson se dilema se a duhej distancuar nga Perandoria Osmane nuk ishte dilemë e thjeshtë, madje ajo para vetës kishte edhe pasojat ne cilindo variant.

“Dilema për tu distancuar plotësisht nga Perandoria Osmane, që do të mund të sillte copëzimin e hapësirës etnike në dëm të fqinjëve, apo autonomia brenda saj, që pastaj do të thoshte pagesë haraqi pas dezintegrimit të perandorisë- nuk ishte dilemë e thjeshtë”.

Lidhja e Prizrenit për historianin Hysa është pararendëse e Rilindjes Kombëtare.

“Por, Lidhja e Prizrenit nuk do te ishte pa atë që i parapriu- Rilindjes Kombëtare”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore