Shqipëria

Rikthimi në Kuvendin Kombëtar të PD-së, Topalli përlotet mes ovacioneve të sallës


Pas gjashtë vitesh mungesë, ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e nisi fjalimin e saj në podiumin e Kuvendit Kombëtar të Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike mes lotëve, teksa salla u ngrit në këmbë duke brohoritur për të.

“Më latë pa fjalë, ju jam shumë mirënjohëse. Herën e fundit në Kuvend kam qenë pas zgjedhjeve të vitit 2013. Ishim mësuar të ishim pjesë e një partie që fitonte zgjedhjet dhe, sa herë PD-ja fitonte, ne ishim në gjendje të bënim ndryshime për mirë”, u shpreh mes lotësh Topalli.

Në vitin 2016, ajo u përjashtua nga strukturat e PD-së, nga kryetari asokohe Lulzim Basha.

Jozefina Topalli, ish-nënkryetarja dhe ish-deputetja PD-së, në Kuvendin Kombëtar u shpreh se PD-ja hyri në një krizë të thellë, krizë përfaqësimi dhe krizë lidershipi.

Sipas saj, PD-ja filloi të rrëzohej, pasi vlerat e saj ranë.

“Pas 2013-ës tatëpjeta e PD-së mori vrapin. E ardhmja çdo ditë e më shumë ngjante me rrokopujën, rënien e mendimit politik e intelektual dhe jo rrallë filloi të shfaqej edhe më banale se sa mund të mendohej”, vijoi ajo.

Duke u ndalur tek opozita e PD-së ndër vite, Topalli theksoi se “nuk ka qenë kurrë e lehtë”.

Por, sipas saj, opozitën e viteve të fundit “nuk e meritonim”.

Ndër të tjera, përshëndeti Kuvendin e 11 dhjetorit – të thirrur nga ish-lideri i bluve, Sali Berisha.

“Kuvendi i 11 dhjetorit ishte hapi i parë i rëndësishëm për t’u ndarë nga pazaret”.

Ndërsa Kuvendin e kësaj dite e quajti një tjetër “gur kilometrik” në betejën për të gjetur veten.

“Ne kemi vendosur të zgjedhim shpresën mbi frikën, kemi vendosur të bashkohemi në vend që të ndahemi”, e përmbylli Topalli fjalën e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore